• |
ide | kryesore

Në prag të protestës, SHBA dhe Gjermania negociata intensive në Tiranë

I pakategorizuar
protesta-e-pd-640x426.gif



Ndërkombëtarët të shqetësuar. Delegacione e zyrtarë të lartë nga Uashingtoni e Berlini në zyrën e Ramës, Bashës, Metës e Nishanit

Tre ditë nga protesta masive e paralajmëruar nga opozita, ndërkombëtarët po lëvizin me shpejtësi mes selisë së PD, Qeverisë, Kuvendit e Presidencës.

Ambasadori Lu ishte dje për 30 minuta në zyrën e Bashës. Pak pas largimit ambasada amerikane nxorri një paralajmërim për qytetarët e saj që të evitojnë zonat ku do të protestohet të shtunën.

Protesta – siguron Lulzim Basha – nuk do të jetë e dhunshme. Por askush nuk i përjashton të papriturat.

“Policia do të ndërhyjë fort”, reagon ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Të premten Edi Rama vendosi të tërheqë kandidatin e Kavajës nga frika e protestës që opozita do të organizonte të dielën në këtë qytet.

“Kishte skenar për destabilizimin e vendit” tha Rama e më pas edhe ministri i tij Xhafaj.

“Shqipëria është e destabilizuar sepse është në dorë të kriminelëve, sepse policia është në dorë të kriminelëve, sepse shteti është në dorë të kriminelëve dhe të drogës” përgjigjet Basha.

Klima politike është e tensionuar dhe ndërkombëtarët janë më të shqetësuar këtë herë, teksa opozita po organizohet me aksione në rrugë.

Rama thotë se vendimin për Kavajën e mori nën rekomandimin e tyre.

Të shtunën frika është e njëjtë; se protesta mund të jetë e dhunshme dhe mund të dalë jashtë kontrollit.

Garancitë e Bashës nuk mjaftojnë. Aq më pak kur Sali Berisha paralajmëron një tjetër skenar.

“Mund t’ju garantoj, dhe këtu do jemi që protesta tjetër po të thirret do të jetë edhe më e madhe, dhe pastaj menaxhimi i saj do jetë problemi kryesor, se një herë i menaxhon ti, por herën tjetër të menaxhojnë ato ty. Ky është i gjithë problemi”, deklaronte Berisha 4 ditë më parë.

Një delegacion i Kongresit Amerikan u takua paradite me presidetin Nishani.

Delegacioni i kryesuar nga kongresmeni Bob Goodlatte vjen në Ballkan me misionin për të hetuar mbi aktivitetin e Soros dhe të 5 ambasadorëve amerikanë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi e Bosnje – Hercegovinë. Një gazetë pranë presidentit Trump shkruante se ambasadorët po minojnë dhe destabilizojnë Ballkanin (lexo lajmin më poshtë në lapsi.al).

“Presidenti Nishani dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë mendime e pikëpamje mbi çështje të ndryshme si: situata politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecuria e reformës në drejtësi, rëndësia e shtetit ligjor, shqetësimi për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat besnik e i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takim u vlerësua edhe roli institucional e përkushtimi i Presidentit Nishani në ndërmjetësimin e dialogut mes palëve politike në vend” ”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Delegacioni do të takojë edhe Metën, Ramën dhe Bashën.

Një tjetër delegacion po zhvillon takime në Tiranë.

Andreas Lammel, deputet i CDU dhe Walter Glos, përfaqësues i fondacionit ”Konrad-Adenauer Stiftung” për Shqipërinë kanë mbërritur në Shqipëri për të parë nga afër situatën dhe për të tentuar një tjetër ndërmjetësim mes palëve, pas atij të eurodeputetit gjerman David Mcallister.

Në fundjavë në Tiranë pritet të mbërrijë edhe ndihmës sekretari i shtetit, Hoyt Bryan Yee, ai që ka marrë në dorë rajonin pas largimit të ndihmës sekretares Victoria Nuland.

Zyrtari i lartë amerikan thuhet se do të paraqesë në Tiranë një platformë të re për negociata, platformë që do t’u kërkojë palëve të lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Lulzim Basha vazhdon të ketë një kërkesë të vetme: qeverinë teknike.

Edi Rama, veç refuzimit të saj është edhe kundër shtyrjes së zgjedhjeve. Megjithatë ai ka vënë në lojë deri tani thujse gjithçka, përveç karriges së tij.

Ai i la opozitës 4 ministra, zëvendëskryeministrin, 3 zëvendësministra, kryetarin e KQZ, ishte gati t’i linte presidentin, lëshoi edhe kandidatin e Kavajës, por thotë se nuk do të tërhiqet nga data e zgjedhjeve dhe nuk do të japë dorëheqjen.

Nën këto zhvillime vëmendja e ndërkombëtarëve është shtuar mbi Tiranën.

Përpjekje po bëhen për një zgjidhje para të shtunës.

Por retorika dhe disa veprime të institucioneve zgjedhore nuk vijnë në ndihmë.

Nën ndikimin e Edi Ramës KQZ ka shpejtuar disa procese, edhe pse sot frenoi në ndarjen e fondeve të buxhetit të shtetit për partitë, nga ku do të përjashtoheshin partitë opozitare.

Opozita thotë se nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, por ato nuk mund të zhvillohen pa pjesëmarrjen e saj, as më 18 qershor dhe asnjëherë tjetër.

Edi Rama insiston tek 18 qershori dhe dje në Durrës këtë datë e shënoi në kalendarin e tij si ditën e asgjësimit të PD -së, një retorikë kjo që e tensionon më shumë situatën, 3 ditë para protestës së të shtunës, para kryeministrisë.

Të gjithë aktorët e përfshirë në këto zhvillime po i mëshojnë dialogut si zgjidhje, për të evituar përplasjet e dhunshme në rrugë.

“13 maji vjen si një pikë kulmore e këtij bashkimi popullor dhe vazhdimi i përditshëm i kësaj beteje deri në fitoren e saj totale… Le ta falimentojmë së bashku teatrin e shëmtuar të kukullave” deklaroi dje Basha.

Ai tani duket më i vendosur në aksionin e tij politik për ta rrëzuar qeverinë me protesta, pas tërheqjes së Edi Ramës nga Kavaja, nga frika e përballjes me protestuesit. /Lapsi.al