• |
ide | kryesore

Përplasja e analistëve/ Kush fitoi, Rama apo Basha?

I pakategorizuar
rama-basha.jpg


Si e komentojnë paktin Fevziu. Lubonja, Baze, Nazarko dhe Zheji

Prej disa ditës që mes arritjes së marëveshjes Rama- Basha e deri sot në kurorëzimin e qeverisë me bazë të gjërë debatet se kush fitoi, Rama apo Basha nuk kanë rreshtur jo vetëm midis të dy kampeve por edhe midis analistëve.

Në një shkrim të kësaj të hëne në “Opinion” gazetari Blendi Fevziu i rendit i bindur ato që Fitoi kreu i PD. Pasi përmend se ai e detyroi Ramën të shkarkojë plot 15 ministra, pasi vëren se tashmë Bashën të gjithë e marrin seriozisht ai del në konkluzionin: “3 muaj më pas dhe me një protestë që kishte shumë personazhe brenda PD, por edhe në media kundër, Basha ja arriti ta kthejë situatën në favor të partisë së tij. Së pari koalicioni XXL nuk ekziston më. PS do garojë e vetme dhe LSI me PDIU po ashtu. Ky është bonusi më i madh që Basha mori nga protesta e tij. Në një garim të tillë loja është hapur nga fillimi dhe shanset për një rezultat surprizë po ashtu. Të gjithë e dinë që një rezultat i ngushtë, mund të çojë në kombinime të tjera të shifrave për të arritur numrin magjik 71. Pra PD është e hapur t’i bashkojë shifrat e saj me të gjitha partitë, ndryshe nga 3 muaj më parë kur nuk kishte asnjë shans për këtë”.

Ndryshe nga Fevziu llogarinë e mat fituesin apo me humbësin, duke u nisur nga zgjedhjet që zhvillohen pas një muaji, Fatos Lubonja ka një tjetër këndvështrim. Ai mundohet ta analizojë Bashën jo në raport me 25 qershorin por në raport me premtimet që dha dhe shpresat që ngjalli tek disa. “PD-ja dhe lidershipi i saj treguan me këtë marrëveshje se ose, në rastin më të mirë, nuk u dilnin hesapet se mund të shndërroheshin në një lëvizje antisistem, ose se nuk i kishin seriozisht premtimet për luftë oligarkisë, medieve të kapura, kanabizimit etj” thotë Lubonja i cili kur vjen puna te llogaritë për zgjedhjet e sheh Ramën më të favorizuar: “Me shumë gjasa në këto kushte, ku loja elektorale nuk zhvillohet midis një lëvizjeje që premton shpresë dhe kastës së vjetër, por si një lojë brenda kastës, ka më tepër gjasa që 51%-shin ta kapë i vetëm Edi Rama dhe jo PD-ja. Nëse nuk arrihet kjo, mund të jemi përsëri në kushtet kur LSI-ja të mbetet përcaktuese e maxhorancës. Se çfarë do të vendosë Ilir Meta, këtë do ta shohim…por intuita ma thotë se, edhe sikur të mos jetë përcaktues, Meta do të shkojë me Ramën” shkruan ai tek Panorama.

Edhe për Mero Bazen, Basha ka dështuar në premtimin e tij për të reformuar sistemin. “Ata që e sulmojnë, llogarisin faktin se Basha nuk i fiton dot këto zgjedhje dhe nuk duhet të njohë sistemin, derisa ta shkatërrojë atë me bojkot. Basha ka pranuar sistemin dhe ka vendosur ta shtrijë në kohë betejën e tij, pasi ka marrë firmën e Edi Ramës që pas zgjedhjeve të nisë reformën zgjedhore dhe atë kushtetuese” shkruan baze te gazeta “Tema”. Por pavarësisht kësaj ai pohon se “Nga pikëpamja personale, ai ka fituar më shumë se PD. Ai ka fituar në personalitetin e tij si kryetar real i Partisë Demokratike, pasi është faktorizuar duke u marrë seriozisht nga kundërshtari i tij, me të cilin ka negociuar një marrëveshje të detajuar, që i jep atij garanci të plota për zgjedhje të lira e të ndershme” thotë ai.

Ndërsa për Atrur Zhejin situata nuk është kaq idilike për Bashën. Për të më i avantazhuar është Edi Rama që arriti ta tërheqë në lojën e ttij rivalin opozitar: “Pas 9 vitesh, ai po bën të njëjtën gjë me Lulëzim Bashën, siç bëri edhe Berisha me të, në Majin e vitit 2008, po e fut si qingj në zgjedhjet e përgjithshme politike. Porse Rama, ka fituar edhe një pozicion të ri plus, ai, duke bërë një Marrëveshje kokë më kokë me Bashën dhe njëkohësisht përjashtuese për Ilir Metën, ka thelluar mosbesimin ndërmjet Metës dhe Bashës, në shkallë sipërore” shkruan Zheji në 360 gradë. Po aty ai parashikon edhe një skenar të keq për Bashën: që koalicioni PS LSI të përsëritet pas zgjedhjeve. Dhe për këtë shkruan: “nuhatja e Bashës, do ende kohë të mprihet aq sa duhet, për të mbijetuar në xhunglën dinake dhe të pamëshirshme, të politikës shqiptare”.

Ndryshe nga gjithë të mësipërmit analizon Mentor Nazarko. Sipas tij llogaria kush humbi dhe kush fitoi është e pavlerë: “Por në gjykimin tim, të gjitha analizat e bëra nga këndvështrime të ngushta, nga interpretime të qëndrimeve të palëve se kush humbi, nga kush fitoi nga aktorët politikë, janë në një themel të gabuar. Në gjykimin tim ka fituar Shqipëria. Shumica prej kolegëve nuk kanë marrë në konsideratë një fakt të rëndësishëm. Shqipëria ka marrë garanci se nëse procesi zgjedhor do të zhvillohet i qetë, do të çelen negociata për integrimin në BE. Këtë e ka thënë komisionerja Mogherini, komisioneri Hahn, por edhe përfaqësues të kancelarive të rëndësishme evropiane” shkruan ai në Konica.al.

(Lapsi.al)