• |
ide | kryesore

Melania Trump vendos shami në Vatikan, por jo në Arabinë Saudite

Arkiva, Planet
12345.JPG



Melania Trump i ka dhënë rëndësi çdo veshjeje të saj gjatë udhëtimit të parë jashtë vendit si zonjë e parë. Vizita e saj tek Papa Françesku të mërkurën nuk ishte përjashtim.

Zonja e parë u takua me Papën sikurse e parashikon protokolli i Vatikanit. Ajo vuri një vello të zezë në kokë dhe veshi një fustan të gjatë “Dolçe and Gabbana”.

Vajza e Presidentit Donald Trump u vesh njësoj, vetëm vellon e kishte më të madhe.

 

“Sipas protokollit të Vatikanit, gratë që do të takohen me Papën duhet të veshin mëngë të gjata, veshje formale të zeza dhe një vello që t’i mbulojë kokën.”- u shpreh për CNN, Stephanie Grisham, drejtoresha e komunikimit të zonjës së parë.

Pak ditë më parë, gjatë vizitës së saj në Arabinë Saudite, zonja e parë u vesh me një fustan të zi që të ngjasonte me veshjen karakteristike të grave atje. Pavarësisht se nuk mbuloi kokën, veshja e saj tërhoqi masivisht vëmendjen e shtypit vendas, i cili e vlerësoi së tepërmi kujdesin që Melania tregoi ndaj kulturës së vendit.

Kur u pyet përse Melania mbante një mbulesë në Vatikan, ndërsa bëri të kundërtën në Arabinë Saudite, Grisham tha se nuk kishte asnjë kërkesë për veshjen nga vendi mysliman.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, zonja e parë gjithashtu shfaqi një “dhunti lokale” gjatë vizitës së saj në spitalin e fëmijëve në Romë. Kohën që ajo shpenzoi aty, foli gjuhën vendase, atë italiane.

“Ajo i shkroi personalisht një letër Papës, për t’i kërkuar që të shkonte në spital. Aty kanë shkuar edhe princeshë Diana dhe Nënë Tereza.” – u shpreh Grisham.

Melania Trump është përgatitur gjerësisht, edhe me ndihmën e zyrtarëve të Departamenit të Shtetit, mbi protokollet dhe zakonet e secilit vend ku ajo do të ndalojë. Ajo dëshironte të siguronte një debutim të mirë në skenën botërore si zonja e parë dhe të shmangte çdo nisje të gabuar dhe të sikletshme.

Ish-modelja e shndërruar në zonjë të parë stiloi vetë shumicën e veshjeve dhe po të shohësh, të gjitha paraqitjet e saj kanë tërhequr vëmendjen e mediave të vendeve ku çifti presidencial po udhëton.

 

Takat e saj të larta kanë shkaktuar ankth tek mikpritësit në Jerusalem. Ata ishin të shqetësuar për stabilitetin e saj në rrugët me kalldrëm të Jerusalemit. Por ndihmësit e saj qeshën me këtë shqetësim, duke i sjellë në vëmendje mikpritësve se Melania është rritur në Slloveni dhe nuk e ka për herë të parë ecjen në një rrugë të shkatërruar.

Në kontrast me gruan e tij, Presidenti Trump kaloi relativisht pak kohë duke u përqëndruar në zakonet lokale dhe mirësjelljet. Në javët para udhëtimit, Trump u takua me këshilltarin e tij të sigurimit kombëtar, H.R. McMaster, sekretarin e shtetit, Rex Tillerson dhe këshilltarin e lartë (dhëndrin), Jared Kushner, i cili luajti një rol kryesor në planifikimin e udhëtimit.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës, këto takimi ishin: “pothuajse tërësisht të fokusuara në çështjet kryesore dhe marrëveshjet, dhe jo për t’i kushtuar rëndësi zakoneve vendase.”

 

Por, prapa skenave, Melania Trump punoi për t’u siguruar se Presidenti do të ishte i përgatitur për udhëtimin. Për të është kthyer në traditë përgatitja e valixheve të burrit të saj kur ai shkon jashtë shtetit. Para këtij udhëtimi, një burim tha se Melania i mësoi anëtarët e stafit si të paketonin rrobat e Presidentit.

Strategjia e zonjës së parë ishte të paketnote një valixhe të veçantë për çdo ndalesë të udhëtimit, duke i kushtuar rëndësi secilës prej tyre.

 

Zgjedhjet e Melanias deri tani përputhen thuajse tërësisht me ato të ish-zonjës së parë, Michelle Obama, e cila gjithashtu veshi një vello të zezë kur takoi Papa Benediktin e 16-të në vitin 2009. Edhe Michelle Obama kishte zgjedhur të mos vishte shami në Arabinë Saudite. Në atë kohë, Donald Trump kritikoi vendimin për të mos u mbuluar nëpërmjet Twitter-it.

“Shumë njerëz po thonë se ishte e mrekullueshme që zonja Obama nuk pranoi të vendoste shami në Arabinë Saudite, por njerëzit atje u ofenduan.”