• |
ide | kryesore

Samiti i NATO/ Enigma e fotos së munguar Rama- Trump

I pakategorizuar
1111.png



Meqënëse debati vazhdon ende në Shqipëri, nëse Donald Trump e ka falur apo jo Edi Ramën për ato që tha gjatë fushatës elektorale në SHBA, nëse ai e injoroi, apo thjesht e harroi dje në samitin e NATO-s në Bruksel, nëse kryeministri ynë bëri apo jo gjithë akrobacitë për t’iu afruar presidentit të Amerikës, nëse ai tentoi por nuk mundi, apo mundi dhe nuk u fotografua dot, Lapsi.al ka gjetur një zgjidhje. Natyrisht është një zgjidhje nga halli. 

Vetë Edi Rama infiltroi dje në media një lajm, jo sipas burimeve pranë tij por gjoja sipas një kongresmeni, se ai kishte arritur të takonte manjatin e ndërtimeve. Më pas kur komentet në Facebookun e tij vërshuan, ai i pranoi një komentuesi të quajtur Raimond: Jo vetëm shtrënguam duart, por edhe biseduam. Pra sipas këtyre dy dëshmive, Edi Rama është takuar me presidentin amerikan dhe të gjithë teoritë konspirative që kanë qarkulluar këto ditë se Donaldi po i mbante inat Edit, nuk paskan qenë të vërteta.

 Takimi është konfirmuar nga kongresmeni republikan i Floridës, Matt Gaetz, me anë të një letre. Ai thotë se është i lumtur për takimin. “SHBA kanë gjetur një aleat të fortë në Shqipëri në luftën kundër ISIS”, shkruan ndër të tjera kongresmeni në letrën e tij të bërë publike dje (më poshtë).

Por pavarësisht nga këto dëshmi për takimin që thuhet se paska ndodhur brenda sallës me dyer të mbyllura, nuk ka asnjë, asnjë filmim dhe asnjë dokument. Ndaj për t’ia bërë më të lehtë kryeministrit pretendimin se ai nuk ka kaluar në NATO pa u vënë re nga politikani më i fuqishëm i globit, Lapsi.al ka mbledhur ato momente kur Edi Rama ka qenë më afër se kurrë Trumpit në jetën e tij.

Dashakeqët le të pretendojnë se ai e ka pasur kaq afër dhe nuk e ka takuar fare. Ne po bëjmë tonën. Por demonstrojmë se këta dy burra kanë qenë shumë pranë. Natyrisht në mjediset e ceremonisë së inagurimit të selisë së re të Aleancës Atlantike, ku evenimenti ka qenë i hapur për mediat dhe jo brenda sallës ku nuk mund t’i shihet askush dhe ku Rama thotë se kanë biseduar. (Lapsi.al)