• |
ide | kryesore

Sot vendimi për Skënderbeun/ Nga humbja e titullit te zbritja nga kategoria

Arkiva, Sport
Skenderbeu-Kampion-2016-1.jpg


Ankth dhe frikë te Skënderbeu, por edhe një interes i drejtpërdrejtë për të mësuar vendimin në klube si Tirana, Partizani dhe Luftëtari. Sot Komisioni i Etikës në FSHF do të mblidhet për çështjen “Skënderbeu”, teksa pritet të arrijë një konkluzion përfundimtar.

Pas ardhjes së vendimit të argumentuar të KAS-it, që la në fuqi pezullimin e klubit korçar me një vit mospjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s (për sezonin 2016- 2017), Etikës i është hapur rruga për të shqyrtuar dosjen.

Në raportin për Skënderbeun ka ndeshje të dyshuara si të trukuara që janë zhvilluar gjatë sezoneve të kaluara në Kategorinë Superiore. Në mbledhjen e 30 majit, FSHF njoftoi se anëtarët e Etikës kanë administruar provat dhe kanë diskutuar për çështjen në tërësi.

Me verdiktet e dhëna për sezonin 2016-2017 dhe me katër klube (Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe Tirana) që presin shortin për Kupat e Europës, sot do të mësohet më shumë nëse do të ketë përsëritje të precedentit të vitit të kaluar (Skënderbeu nuk mori pjesë në Champions) apo gjithçka do të vijojë në bazë të asaj që skuadrat kanë arritur sportivisht.

Shumë aludime, por edhe deklarata të forta për dënim ekstrem të bardhekuqve. Tirana shpreson që të jetë sërish në Superiore nëse për korçarët merret masë drastike.

Në të njëjtën kohë, Luftëtari beson se mund të jetë në Europë si vend i tretë, gjithnjë nëse Skënderbeu dënohet me zbritje nga Superiorja. Ndërsa te Partizani janë të bindur se do të marrin titullin e sezonit 2015-2016.

Megjithatë, burime të “Panorama Sport” në institucionin e futbollit bëjnë me dije se ekzistojnë pesë variante në tavolinën e Etikës.

VARIANTI 1

Komisioni i Etikës, pas shqyrtimit të dosjes dhe konkluzioneve të UEFA-s për ndeshjet e dyshuara ndër vite sa i përket Skënderbeut, qoftë në Kupat e Europës, Kategorinë Superiore dhe Kupën e Shqipërisë, mund të mjaftohet me pezullimin që ka dhënë institucioni më i lartë i futbollit në Europë.

Dënimi i parë i UEFA-s është administrativ, ndërsa KAS-i i lë shteg hapjes së çështjeve disiplinore. Në këtë mënyrë, Etika, duke mos pasur prova shtesë për ndeshjet e kampionatit shqiptar, do të mjaftohej me dënimin që i është dhënë Skënderbeut vitin e kaluar, duke kaluar çështjen thjesht me një investigim.

VARIANTI 2

Fakti që KAS-i i Lozanës pranoi raportet që vijnë nga monitorimi i tregut të basteve, duke lënë në fuqi vendimin e UEFA-s për Skënderbeun, detyron Etikën të zbatojë në këtë mënyrë rregulloren.

Pikërisht në Kodin e Disiplinës Sportive, një variant për dënimin e klubit korçar është zbritja e 12 pikëve për sezonin e ardhshëm dhe mosnjohjen e titullit kampion të sezonit 2015-2016. Në këtë mënyrë, Skënderbeu do ta niste kampionatin e ardhshëm me -12 pikë. Etika do të mbrohej me nenin 68, pika 2 të KDS, ku parashikohen dënimet për trukimin e ndeshjeve të kampionatit shqiptar.

VARIANTI 3

Një tjetër variant, që më së shumti do një interpretim juridik, është që Skënderbeut t’i zerohen pikët e sezonit të fundit. Pra, me kampionatin që ka përfunduar normalisht, Skënderbeu do binte automatikisht në Kategorinë e Parë dhe Etika mbrohej me nenin që parashikon përjashtimin nga kampionati. Në këto kushte, klubi i renditur në vendin e nëntë, në rastin konkret Tirana, i rikthehej e drejta për të qenë sërish pjesë e Superiores sezonin e ardhshëm. Kjo është një çështje që ha shumë diskutim, për më tepër që sezoni u mbyll pa u marrë një vendim dhe sportivisht Tirana ka zbritur nga kategoria.

VARIANTI 4

Etika vendos dënimin e Skënderbeut me zbritje në një kategori më të ulët. Me këtë variant, duke pasur parasysh faktin që kampionati i sezonit të fundit ka dhënë verdiktet, atëherë FSHF-së i duhet të organizojë një ndeshje shtesë mes skuadrave që luftuan për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, pikërisht Besëlidhjes dhe Bylisit, që mbyllën sezonin në vendet e dyta të grupeve A dhe B. Në këtë rast, respektohet gara e sezonit të fundit dhe verdiktet e dhëna pas 36 javësh.

VARIANTI 5

Komisioni vendos të shtyjë vendimin për Skënderbeun në një afat të pacaktuar, duke lënë gjithçka pezull. E shtyn me argumentin se i duhet të shqyrtojë hollësisht ndeshjet që klubi korçar dyshohet se është përfshirë në influencimin e rezultatit në kampionat dhe Kupë.

/Marrë nga PanoramaSport/