• |
ide | kryesore

Memushaj rrëfen “sherrin” në fushë me Sadikun

Arkiva, Sport
540462920.jpg


Mesfushori i Kombëtares shqiptare Ledian Memushaj ka shënuar sot golin e tij të parë me fanellën e Kombëtares shqiptare të futbollit, duke ndihmuar kuqezinjtë të kthehen në vendin e tretë në grupin e eliminatoreve të Botërorit. Por sipas tij kjo nuk ishte pjesa më e rëndësishme e takimit të sotëm, pasi me rëndësi ishte që fitoi skuadra.

“Gjëja më e rëndësishme sot ishte të ktheheshim te fitorja dhe të gjenim grupin që kemi qenë. Sot e treguam që jemi ata që kemi qenë më parë. Besoj se kur fiton një ekip, nuk fiton vetëm trajneri, lojtarët apo presidenti. Kur fiton, fitojnë të gjithë, trajneri, magazinieri, fizioterapisti, të gjithë. Askush nuk e fiton i vetëm. Është kënaqësi, kënaqësi e madhe se e dëshiroja shumë golin. Por më shumë isha i kënaqur për fitoren. Nuk është i rëndësishëm goli, nuk jetoj për të, jetoj për ekipin” – tha Memushaj.

Në fushë ai pati një përplasje me sulmuesin Armando Sadiku i cili i bërtiti në fushë pas një topi të gabuar dhënë për të.

“S’ka nevojë të sqarohemi, janë gjëra që ndodhin në fushë, bëri mirë që u inatos me mua. Atij desha t’ia jepja po e kapi kundërshtari. Ka raste që kam dhënë pasime të mira, ka raste që jo. Sot e rëndësishme ishte të fitonim, kush i bën golat nuk ka rëndësi” – tha Memushaj.