• |
ide | kryesore

Basha dhe Rama si fansa qesharakë për të dalë një foto me presidentin Trump

I pakategorizuar
170301141317-donald-trump-0228-super-169.jpg



Bërja e një foto me presidentin e amerikës Donald Trump po i kthen politikanët tanë në qesharakë. Para pak ditësh, në samitin e NATO-s ku ishte prezent edhe presidenti Trump, Rama u përpoq me çdo kusht që të bëntë një foto ku shtrëngonte duart me presidentin Trump. Edhe pse kryeministri ynë u shpreh live në CNN “Larg o Zot po u zgjodh Trumpi president” para se ai të vinte në krye të Shtëpisë së Bardhë, ditën që umbajt samiti i NATO-s bëri çdo përpjekje të mundshme për t’iu afruar sado pak dhe të merrte foton e shumëpritur, aq sa në disa raste dukej qesharak duke e ndjekur nga pas apo duke qeshur me ato që thoshte ai.

Edhe pse në mediat tona doli një lajm sikur Rama ishte takuar me Trump, nga ky takim nuk dolën as deklarata, e aq më pak foto. Do ishte e çuditshme që takimi të kishte ndodhur, por stafi i Ramës të mos e shfrytëzonte këtë mundësi të artë ku me një shtrëngim duart të reklamonte se tani kryeministri ka mbështetjen e Trumpit dhe Amerikës.

Ndërsa sot pamë Lulzim Bashën që të pritej në Rinas si Skëndërbeu kur u kthye nga Perandoria Osmane vetëm sepse kishte bërë një foto me presidentin Trump. Basha ia arriti atë që Rama nuk mundi, një foto me presidenti ne SHBA-së.

Kjo foto e Bashës po reklamohet si një arritje e madhe dhe është bërë lajm i ditës. Vetë Basha po e shet si një fitore të madhe dhe si një mbështetje të Trump. Por askund nuk e shohim këtë mbështetje të faktuar në deklarata apo veprime konkrete të presidentit amerikan. Fakti që u bë një foto me Trump nuk e fakton diçka të tillë. Fotoja po përdoret thjeshtë për imazh për tu treguar shqiptarëve se tani u mor mbështjetja e presidenti amerikan, edhe kur ky i fundit nuk ka nxjerrë gjysëm fjala nga goja për këtë rast.

Rrjedhimisht, Basha dhe Rama, ngjajnë me ata fansat e zjarrtë që përpiqen t’i afrohen artistit të tyre të preferuar dhe kur bëjnë një foto me të e ta varin në mur dhe t’ia tregojnë të gjithë dynjasë, ndonëse për vetë artistin, ky është thjeshtë një fans që nuk do t’ia mbajë mend emrin.

Në këtë pikë, përpjekjet për foto me Trumpin janë kthyer në një teatër që po shndërron në qesharake dy lidërat kryesorë në vend. Në fushatë duhej të flitej për programe dhe zgjidhje, por realisht vetëm po tregohen barsaleta dhe kush të dalë foto me kë dhe sa bukur do e shesë këtë foto rastësore./ Lapsi.al