• |
ide | kryesore

Investigimi/ De Biasi, kronika e një linçimi të paralajmëruar

Arkiva, Sport
Capture.JPG


Shumëkush ka mbetur super i çuditur kur, ende pa u fashitur gëzimi i fitores mbresëlënëse me Izraelin e dëgjoi trajnerin e kombëtares shqiptare Giani De Biasin të thoshte se në fund të sezonit do të largohej dhe se nuk kishte më ndërmend t’a rinovonte kontratën.

Pse tani ishte pyetja e parë? Vërtet të kuqtë patën humbur 5 ndeshje me rradhë, vërtet tekniku ishte në mardhënie të vështira me disa lojtarë, por fitorja jashtë fushës me hebrejtë, pati bërë të mundur që gjithçka të rikthehej si më parë. Shqipëria tregoi në Haifa se mbetet një skuadër që di të reagojë dhe vetë De Biassi se di të drejtojë si lider.

Po atëherë çfarë ndodhi?

Misterin e bën më të madh edhe mënyra e sjelljes së aktorëve që u përfshinë në këtë vendim.

Fillimisht De Biasi tha se ai nuk do ta rinovonte më kontratën por do të vazhdonte të ishte trajner deri në fund të sezonit. Ai akuzoi për largimin e tij të paralajmëruar mungesën e vëmendjes nga federata dhe mosinteresin e FShF për ta mbajtur në detyrë, “qoftë edhe duke i rëmbyer pasaportën” siç thoshte Edi Rama një vit më parë.

Flakë për flakë me këtë deklaratë reagoi presidenti Armando Duka. Gjysëm me ironi ai tha se ata i kishin dhënë misterit, “dashurinë e jetës” pra i kishin besuar kombëtaren.

Tensioni mes presidentit dhe trajnerit dukej si në ditët më të këqia të bashkëjetesës së tyre. Po fare pa pritur ata u shfaqën bashkë, në harmoni të plotë, në një konferencë shtypi për të dhënë një lajm edhe më të rëndë se i pari: De Biasi po largohej menjëherë.

Surpriza qe se ky vendim po bëhej pa konfikte dhe pa të shara. Dy armiqtë e mëdhej të një dite më parë, De Biasi dhe Duka dukeshin të pajtuar. Trajneri falenderoi me mirësjellje presidentin. Ky i fundit u kujdes që të mos e trajtonte si dezertor, mandje u përbetua se italiani nuk po ikte për arsye se kishte gjetur një skuadër tjetër. Gjithçka që nisi si një furtunë në gotë, po mbyllej papritur me një pakt xhentëlmenësh. Por dyshimet mbetën.

Ato i hodhën që në fillim emra të njohur të shtypit sportiv. Duke i’u referuar shprehjes së de Biasit se nuk kishte më besimin e presidenti dhe përgjigjes së Dukës se ai i kishte besuar dashurinë e jetës, Gazetari Gëzim Sinemati shkroi: “Sikur të fillonim rrëfimin nga fundi dhe jo qysh nga fillimi, si u gatua humbja në Luksemburg, ku presidenti nuk ishte në stadium ngaqë e dinte se çfarë do të ndodhte me “dashurinë e vetme të jetës”, dhe tjetra, tepër ngacmuese, pse nuk tregohen publikisht disa fjalë të rënda trajnerit para ndeshjes me Izraelin, prej të cilave shpëtoi vetëm me një ndeshje të fituar…”

Pra gazetari lë të kuptohet se nje kurth i ishte përgatitur trajnerit. Nga kush ? Nga presidenti? Nga lojtarët? Nga një bashkim i një pjese të stafit me skuadrën?

Për këtë nuk kemi përgjigje. Dimë vetëm ato që ka thënë De Biasi në mediat Italiane pas largimit: “Po, atë natë e vendosa që do të largohesha nga skuadra” ka pohuar ai duke shpjeguar: “Ajo që më ka shqetësuar ishte fakti që në miqësoren e 10 ditëve më parë kundër Luksemburgut, po fitonim 1-0 dhe duhej ta stërfitonim, por e humbëm 2-1. Mendoj se një skuadër si Shqipëria nuk mund të mos e këtë si rregull kryesor të jetë e përqendruar që nga minuta e parë deri te e fundit”.

Dhe megjithëse fitoi në Izrael ai e shpalli largimin. Duke pretenduar se federata nuk e mbështeste dhe nuk e besonte më. Por, përsëri tha se do të qëndronte deri në fund të sezonit. Kur një ditë më pas në harmoni me Dukën shpallën largimin e menjëhershëm.

Çfarë ndodhi në vetëm 24 orë? A arritën du burrat një pakt mosulmimi të mbuluar nga një garanci financiare ? Këto janë hipotezat që qarkullojnë. Atyre u jep më tepër zë edhe një artikull i opinionistit Përparim Kabo. Pasi vëren të gjitha kontradiktat e kronologjisë së ditëve të fundit, ai arrin në konkluzionin se e vërteta do të dalë më vonë, pasi trajneri të marrë edhe këstin e fundit të parave: « Jam i sigurt se shumë shpejt De Biasi sa të marri dhe pagën e fundit do shpërthejë dhe do tregojë se çfarë ndodhi dhe se cila është historia reale…Të presim …!!! Historia vazhdon… »!!!

Disa burime mediash sportive flasin për një drekë të gjatë kokë më kokë në Durrës mes trajnerit në largim dhe presidentit. Pakti mendohet të jetë arritur pikërisht në këtë takim urgjent që De Biasi e përshkroi në konferencën për shtyp si një « drekë buzë detit në një ditë të shkëlqyer me diell ». Në këtë takim Duka ka qenë i preokupuar të shmangë sakndalin e shkarkimit. Të ndalojë deklaratat që e bëjnë atë fajtor për ikjen e “Gani Abazit”, të shndërruar në një lloj legjende për tifozët kuq e zi. Presidenti e di që ai është antipatik për fansat e kombëtares dhe nuk do t’i vërë vetes edhe një njollë më shumë. Nga ana tjetër edhe De Biasi e di se nuk fiton asgjë nga nga deklarimet emocionale si ato të së hënës menjëherë pas ndeshjes. Ai nuk ka pse qëndron deri në nëntor ashtu sikurse deklaroi. Në atë kohë sezoni ka filluar dhe ai e ka të vështirë të gjejë një skuadrër dhe kontratë të re. Pra atij i leverdis më mirë që të largohet që tani, po duke marrë pagën deri në fund. Nga ana sportive largohet me fitore. Nga ana financiare nuk humbet asnjë cent.

Kështu ka gjasë të jetë bërë pakti i drekës së bukur buzë detit. Dhe të mërkurën Duka dhe De Biasi u rishfaqën në harmoni së bashku duke e kapërdirë largimin si një lajm të zakonshëm kronike sportive. De Biasi u mjaftua të thotë se kur përfundon një cikël, largohet ose skuadra ose trajneri. Ndaj ai zgjodhi të ikte vetë.  

 Por, pikërisht nga kjo deklaratë arrihet të kuptohet shumëçka. Cikli në fakt nuk kishte mbaruar. Italiani kishte një skuadër të re dhe që mund ta motivonte ende. Por kjo nuk ndodhi. Psesë humbjet radhazi para Izraelit, incidente të ashpra si ato me lojtarin ikonë, Taulant Xhaka, treguan se Gianit po i rëshqiste toka nën këmbë. Skuadra që kishte ngritur vetë, duke i mbledhur futbollistët në çdo cep të Europës nuk po i bindej më. Në intervistat e dhëna në mediat italiane pas largimit De Biasi e ka shpjeguar këtë me një skuadër që nuk i përgjigjej më pasi lojtarët ishin të dehur nga suksesi, të ngopur, nuk qenë me të gatshëm të realizonin gjërat që kishin në mendje.

Por arsyeja është më e thellë se kaq. Ajo duhet kërkuar një vit më parë pas përfundimit të europianit të Francës. Kur skuadra shqiptare u kthye në Tiranë, trajneri u prit si hero, ndërsa presidenti u vërshëllye në mes të sheshit dhe të festës. Që nga ky moment rreth italianit filloi strategjia e tokës së djegur. E para e goditi zëdhënsja e federatës, e cila deklaroi se Shqipëria i kish dhën emër De Biasit dhe jo e kundërta. Më pas doli Alban Bushi, besnik i Armando Dukës dhe e godit trajnerin publikisht. Sikur këto të mos mjaftonin, në media shpërthyen aferat e pagesave, rroga e teknikut dhe më në fund u krijua një klime armiqësore ndaj italianit.

Ndërsa Armando Duka nuk fiste publikisht ai në të njëjtën kohë refuzonte të rinovonte kontratën e trajnerit. Pra De Biasit i jepej mesazh i qartë se ai nuk do të qëndronte edhe për shumë kohë në bankinë.

Kush e njeh mentalitetin e një skuadre futbolli, kush ka jetuar brenda saj, e di se lojtarët e kuptojnë të parët kur një trajner nuk ka besimin e drejtuesve. Ata e ndjejnë kur ai është i përkohëshëm dhe fillojnë rebelimin, mosbindjen, shthurjen. Ilustrimi tipik i kësaj sindrome është konflikti i pas ndeshjes me Italinë, mes De Biasit dhe Taulant Xhakës. Futbollisti nga Kosova përplasi derën dhe tha se nuk do të kthehej më në skuadër deri sa atë të drejtonte i njëjti trajner.  A do të kishte guxim ta bënte këtë nëse e dinte se De Biasi do të qe dhe 5 vite në djrejtim ? Vështirë të thuhet. Por ai shkoi dhe më tej, deklaroi se ai e donte kombëtaren me zemër ndërsa De Biasi vetëm për para. Dhe ç’ndodhi më pas, Armando Duka bëri disa deklarata publike në favor të Xhakës. Nënteksti qe i qartë: kushdo pas kësaj kishte çekun e bardhë për t’u rebeluar kundër italianit.

Dalëngadalë ai po kishte përreth një tokë të djegur.

Prandaj ai ishte më i vertetë, ditën e hënë pas kthimit nga Izraeli, kur deklaroi se do të largohej pasi i mungonte besimi i federatës. Në një vit me radhë puna e tij vetëm ishte minuar. Ngadalë, qetësisht, me deklarata të atykëtueshme, me ngacmime të kohëpaskohëshme, me një vullnet të qartë për t’i treguar se për të nuk do të kishte një kontratë të re.

Pa dyshim, askush, as Armando Duka, madje as Edi Rama nuk kishin forcën morale për t’a shkarkauar atë pas suksesit që arriti duke e çuar Shqipërinë në Francë. Por, që prej kthimit prej andej, në zyrat e FSHF u programua një linçim i butë, i ngadaltë dhe i pabujë. Ai nuk synonte një heqje qafe brutale. Ai mëtonte bërjen të pamundur të drejtimit të skuadrës. Kështu që historia e kësaj jave, i ngjan kronikës së një vrasjeje të paralajmëruar. Endrra e tifozëve dhe e De Biasit për të vazhduar më tej me Shqipërinë u ekzekutua nga një plan i paramenduar mirë. De Biasin nuk e shkarkuan, atij i bënë të pamundur qëndrimin duke i ç’thurur skuadrën. Pikërisht për këtë ai tha pak ditë më parë lamtumirë. Sesi zgjodhi ta bëjë, duke parë interesin e vet financiar, duke tërhequr sulmet ndaj Dukës dhe duke mbyllur gojën për të vërtetat që di në këmbim të një deali të fytshëm, ky është një detaj i zgjidhjes së vet private. Por fajalët që ai la pa thënë, misteri i piruetave të fundit dhe ndryshimi i deklaratave, nuk e kanë forcën për të mbuluar diellin me shoshë. Ato nuk mund të fshehin atë që duket prej së largu: se italianin që e deshën më shumë se kërkënd tifozët e larguan me një puç pallati. (Lapsi.al)