• |
ide | kryesore

Përse Basha i mohon lidhjet me Soros?

I pakategorizuar
10422288_844560655595117_599862519713724992_n.jpg



Eduard Selami ka konfirmuar atë që mediat shkruajtën në fundjavë si përplasje të tij me Lulzim Bashën në Korçë për lidhjet e kryetarit të ngrirë të PD me miliarderin George Soros.

Rivali i Bashës në garën për kreun e PD thotë se ka qenë vetë prezent kur Basha i ka pranuar Soros-it se ai kishte marrë një bursë studimi nga fondacioni i tij, gjë të cilën Basha e ka mohuar në takimin me anëtarët e PD në Korçë pavarësisht këmbënguljes së Selamit.

“Kur Basha foli e portretizoi me ngjyrat më të errëta, punë e tij, por uk tha që kishte marrë bursë, kur unë e dëgjova kur e takova me Bashën. Unë për herë të parë Sorosin e takova me Bashën para një viti, bashkë me Grida Dumën dhe Basha u tregua i ngrohtë me Sorosin dhe i shprehu shqetësimet për atë që po ndodhte në Shqipëri, atëherë abuzimi fizik i Strazimirit. Aty tha: edhe unë jam njëri që kam përfituar nga bursa juaj. Dhe unë i them në takim, meqë ne duam të jemi të hapur, thuaje edhe këtu që ke marrë një bursë dhe e falenderovev. Meqë ishim të hapur duhet të pranonte, ai tha që kjo ishte një propagandë dhe nuk e pranoi”, u shpreh Selami në Report TV.

Kur Basha e quajti të pavërtetë deklaratën e Selamit, ai e sfidoi me dorëheqje. Ai shpjegoi se me Bashën kishte rënë dakord që takimet të ishin të hapura, por pas debatit të Korçës mësoi se mediat nuk ishin lejuar.

“Unë nuk e dija.  E dija se ishte me dyer të hapura. Unë nuk e kritikova, ai tha që bëhet nga kundështarët e mi për të më goditur mua dhe e mora si personale. Nëse ka një regjistrim dhe e kam dëgjuar me veshët e mi dhe nëse ti nuk i ke thënë, atëherë unë jap dorëheqje nga gara, se standardi është më i lartë se gara. Unë këtë standard kam edhe në jetën personale. Në rastin konkret Basha nuk është i vërtetë me elektoratin, pasi e falenderoi Sorosin për bursën dhe në Korçë e mohoi. Kjo është lehtësisht e verifikueshme”.

Por përse Lulzim Basha është i kompleksuar për të pranuar që ka marrë një bursë nga Fondacioni Soros? Përse e shndërroi ai këtë në çështje politike?

Përgjigjja e këtyre pyetjeve është tek qëndrimet e ndryshme që kryetari i ngrirë i PD ka mbajtur ndaj Soros.

Gjatë kohës kur futi opozitën në çadër ai i tha portalit “Breitbart”, medias më të afërt me presidentin Trump, se ishte vënë në qendër të sulmeve të njerëzve të Soros vetëm se ishte mbështetës i Trump.

“Jam sulmuar ashpër nga ai e njerëzit e tij dhe gjithashtu nga media ndërkombëtare sepse jam mbështetës i Trumpit”, deklaronte ai.

Edhe nga çadra i përmendi njerëzit e Soros si pjesë të një grupi që po ndihmonin Edi Ramën të kapte drejtësinë.

“Ligji për Vettingun, ligji për KLP dhe KLGJ dhe katër ligje të tjera janë bërë në shkelje të marrëveshjes politike me qëllimin e vetëm kontrollin politik të Edi Ramës mbi drejtësinë. Ndaj, ia përsëris sot atij dhe mercenarëve të Geroge Soros në Shqipëri, se nuk kanë asnjë shans, që Partia Demokratike të bëhet alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama”.

Por në vitin 2014 ai e priti George Soros në një takim në Selinë e PD dhe ndau me të shqetësime politike (shih videon më poshtë në faqen e lapsi.al). Siç thotë Selami i përmendi edhe çështje personale si shenjë afrimiteti apo përunjësie, aq sa t’i kujtonte se kishte studiuar me paratë e tij.

Përballë këtyre argumenteve, nuk është miqësia e Bashës me Soros apo bursa e marrë prej tij ajo që e bën kreun e ngrirë të PD shenjestër të sulmeve politike në parti, por pozicioni i paqartë ndaj miliarderit kontrovers, të cilin Basha ka preferuar të mos e sqarojë as pas kësaj zhurme, duke u dhënë më shumë zë kundëshatarëve dhe duke e shtuar sa dozën e konspiracionit aq edhe atë të dyshimeve që po rriten rreth tij, si një politikan që s’mund t’i besosh lehtë. /Lapsi.al