• |
ide | kryesore

Gjici kundër Gjokës: Trajneri dëmtoi klubin që nuk dha dorëheqjen

Arkiva, Sport
Gjici-dhe-Gjoka-470x353.jpg


Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka piketuar se cilët janë shkaktarët e eliminimit të skuadrës së tij në Ligën e Kampioneve. Kryesori është padyshim trajneri Ernest Gjoka, i cili sipas presidentit, nuk kishte eksperiencë për aktivitete të tilla, duke gabuar edhe me zgjedhjen e gjuajtjes së penalltisë nga Pejiç, edhe pse Gjici e kishte paralajmëruar që të mos e bënte një gjë të tillë.

“Unë kam bërë një analizë në mendjen time duke qenë gjakftohtë për elementët që nuk arritëm dot ta kalojmë këtë tur. Natyrisht mungesa e eksperiencës së këtij trajneri. Ajo që më ngeli peng, po të isha unë trajner, Peron nuk do ia lija të gjuante penalltinë. I është thënë dhe para ndeshjes që po doli rast penalltie, Pero nuk ishte në gjendje më as që të gjuante penallti. Po të isha unë, do ia lija Eminit”, – u shpreh Gjici në një intervistë për “Top Channel”.

Numri “një” i Kukësit shkon deri aty sa vë në diskutim profesionalizmin e Gjokës, i cili sipas tij dëmtoi klubin dhe nuk kishte pse pretendonte rinovimin.

“Gjithmonë, turi i parë ka qenë testi i trajnerit. Nëse ka trajner profesionist, kur e sheh që dëmtoi klubin, dëmtoi veten, dëmtoi anën financiare dhe historinë. Pa i thënë fare klubi, duhet ta jepte dorëheqjen vetë”.

Edhe pse Skënder Gega ka pranuar publikisht negociatat me Gjicin, ky i fundit ka filluar të ëndërrojë për trajnerë të huaj në stolin e skuadrës së tij.

“Në kaq vite unë nuk kam punuar ndonjëherë me trajnerë të huaj. Por ka ardhur momenti që nuk ka burime të tjera që ne të marrim trajnerë shqiptarë, për një ekip që pretendon”.

Ndërkaq, ai i mbyll rrugën largimeve të lojtarëve, duke deklaruar se ka rinovuar me pjesën më të madhe të tyre, ndërsa është ende në mëdyshje nëse do të mbajë Pejiçin.

“Shameti, Karioka, Emini është mbyllur kontrata. Dje kam negociuar me të, ka qenë nën kontratë por kam negociuar dhe e kam vlerësuar akoma më shumë. Koliçi është nën kontratë, mund ta verifikoni lehtësisht në Federatë. Pero Pejiç i ka përfunduar kontrata, por pastaj do të mendojmë ne a do ta mbajmë më Pero Pejiç apo jo”.

Në fund, një deklaratë edhe për çështjet e trukimeve të ndeshjeve dhe hetimeve në Austri kundër pjesëtarëve të skuadrës së tij.

“Ne u bëmë kampionë për herë të parë dhe filluan menjëherë sulmet nga Shqipëria. Në dijeninë time nuk ka pasur asnjë farë prove, asnjë farë problemi”, – tha Gjici.