• |
ide | kryesore

Del nga burgu i ‘forti’ i Bandës së Durrësit

Lajme, Të fundit


Një fatkeqësi në familje i ka dhënë 4 orë liri Endrit Dokles, të dënuarin e vetëm me burgim të përjetshëm të “Bandës së Durrësit”. Drejtoria e Burgjeve ka miratuar kërkesën e Dokles për të marrë pjesë në varrimin e nënës, e cila u nda nga jeta dy ditë më parë, në moshën 65-vjeçare. I shoqëruar nga forcat e Drejtorisë së Burgjeve, 34-vjeçari ka dalë nga qelia ku qëndron i vetëm në Burgun e Fushë-Krujës, dje në orën 13:00, raporton Panorama.

I përpiktë, duke zbatuar me saktësi orarin e lejes së dhënë, Dokle është kthyer sërish aty në orën 17:00. Endrit Dokle ndodhet në qeli prej më shumë se 13 vitesh dhe pa datë për të dalë prej andej, vetëm me një shpresë të fundit që i ka mbetur në Strasburg, pasi Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e tij për t’i shfuqizuar burgimin e përjetshëm. Burimet që konfirmuan lejen vetëm 4-orëshe të tij ishin mjaft të rezervuara,

Madje, Drejtoria e Burgjeve ishte kujdesuar që informacioni të mos bëhej publik, para se Dokle të kthehej në qeli. Kjo për të shmangur çdo incident të mundshëm, por edhe frikën se i dënuari përjetë mund të thyente lejen e të mos kthehej më në qeli.

Megjithatë, Dokle ka respektuar afatet dhe menjëherë pasi i ka dhënë lamtumirën e fundit nënës së tij, i është drejtuar Burgut të Fushë-Krujës, kur regjistrimi i hyrjes së tij është bërë fiks në orën 17:00, ashtu siç ishte përcaktuar në lejen e dhënë.

Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës famëkeqe, janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.
Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Sipas Prokurorisë, banda është autore e një sërë vrasjeve të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht në zonën e Plazhit.
Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit. Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në Lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë. Kufoma e Gashit u hodh në fshatin Romanat të Durrësit. Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Indrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Ilir Koldashin. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *