• |
ide | kryesore

Nis gjyqi për bandën ‘Habilaj’, Moisiu shfaqet i qeshur në gjykatë, kërkon gjykim të shkurtuar

Lajme, Të fundit


Nën masa të rrepta sigurie është zhvilluar sot në Gjykatën e Catanias në Itali seanca e parë gjyqësore në ngarkim të grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, grup i cili dyshohet se është suportuar në Shqipëri prej ish-ministrit Saimir Tahiri. Siç raportojnë mediat italiane, Moisi Habilaj është sjellë në sallën e gjyqit me një automjet të blinduar dhe i shoqëruar me eskortë policore. Për arsye sigurie nuk u lejua që mediat të filmonin seancën. Ai u fut nga hyrja dytësore e gjykatës, përmes garazhit. Por mësohet se Moisi Habilaj ka kërkuar përmes avokatit të tij gjykim të shkurtuar për akuzat që ka në ngarkim. Gjykata do të shprehet nëse e pranon ose jo gjykimin e shkurtuar më datë 25 shtator.

Gjykim i shkurtuar do të thotë që të vijohet përmes atyre provave që janë aktualisht, duke mos shtuar të tjera të cilat mund të sigurohen më vonë. Rrjedhimisht kjo formë gjykimi i mundëson të pandehurit më pak dënim. Por mbetet për t’u parë nëse do ta pranojë gjykata apo jo kërkesën e Moisi Habilajt. Ky i fundit u pa i qetë dhe i qeshur në sallën e gjyqit. Të pranishëm ishin edhe disa familjarë të të pandehurve të tjerë si pjesë e grupit ‘Habilaj’. Për një moment Moisi Habilaj ka përshëndetur njerëzit në sallë.

Sa i përket gjyqit ndaj këtij grupi kriminal, ditët e fundit është raportuar se në Itali kanë udhëtuar edhe prokurorë të Krimeve të Rënda nga Tirana, të cilët do të marrin në pyetje Moisi Habilajn, Nazer Seitin dhe të pandehur të tjerë të këtij grupi, i cili dyshohet se ka vepruar nën mbështetjen e Saimir Tahirit. Ish-ministri i Brendshëm ndodhet në një proces hetimor që prej vjeshtës së shkuar për këtë dosje. Pak ditë më parë ai i shpëtoi ‘arrestit shtëpiak’ pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

© LAPSI.al 


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *