• |
ide | kryesore

Plagosja në Gjirokastër, autori ende në arrati. Policia flet për 4 arrestime të tjera

Lajme


Paraditen e sotme kur të gjithë prisnin që policia e Gjirokastrës të njoftonte për arrestimin e autorit të plagosjes së dyfishtë mbrëmë në ’18 Shtatori’, ndodhi e kundërta. Policia shpërndau për mediat katër njoftime për ngjarje të tjera. Një adoleshent ishte arrestuar në Përmet për vjedhje, një person ishte arrestuar në Gjirokastër për dhunë ndaj bashkëshortes, dikush tjetër u arrestua për mashtrim, si dhe një i dënuar me burg në mungesë u ndalua në Kakavijë. Opinioni publik në Gjirokastër priste në fakt më shumë rreth ngjarjes së rëndë të një dite më parë, pra arrestimin e autorit të plagosjes se Xhelo Gërveshit dhe Valentin Bucit, dy banorë të fshatit Lazarat.

Aq më tepër po të kemi parasysh që përplasja me armë ndodhi fare pranë Drejtorisë së Policisë Gjirokastër. Por kur kanë kaluar më shumë se 12 orë nga ngjarja, Kristaq Llukani, është ende i lirë. Natyrisht që nuk duam të paragjykojmë punën e policisë në Gjirokastër apo përpjekjen për të kapur autorin e plagosjes, por duket se sot paradite kishte një nxitim për të ‘ushqyer’ opinionin me katër ngjarje të tjera, me katër arrestime të ndryshme, në mënyrë që të largohej disi vëmendja nga ajo çfarë ndodhi mbrëmë dhe sidomos nga fakti që nuk u arrit të arrestohej autori i plagosjes.

Të paktën deri më tani që po raportojmë, nuk ka një komunikim nga policia nëse është kapur apo jo Kristaq Llukani. Sidoqoftë ky konstatim i yni, nuk e përjashton faktin që njoftimi i katër arrestimeve të tjera paraditen e sotme të ketë qenë një rastësi, si shumë ngjarje të tjera që ndodhin dhe policia i komunikon me qytetarët. Me siguri që operacioni për kapjen e 40-vjeçarit po vijon dhe se policia e Gjirokastrës do njoftojë sapo ai të jetë ndaluar. Le të presim!


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *