• |
ide | kryesore

100 kompanitë me fitimet më të larta në Shqipëri

Lajme, Të fundit



Si u nda torta e fitimeve në ekonominë shqiptare në vitin 2017. Mbizotërojnë koncesionet, bankat dhe kompanitë e lojërave të fatit. Ndërsa për bankat, fitimet e larta lidhen më së shumti me rimarrjen e provigjoneve, për lojërat e fatit ky është viti i katërt radhazi që ky biznes njeh rritje dyshifrore dhe norma kthimi në rreth 50%. Sa janë normat e fitimit sipas sektorëve kryesorë dhe cilat janë 10 subjektet me përfitueshmërinë më të lartë, që marrin mbrapsht si fitim, më shumë se gjysmën e të ardhurave të realizuara gjatë vitit?

Nga Ornela Liperi

Panorama është sa zhgënjyese, aq edhe ironike, për një investitor që do të donte të derdhte kapital në Shqipëri, në kërkim të një norme kthimi sa më të lartë. Sipërmarrjet që kanë normë më të lartë përfitueshmërie në vend janë lojërat e fatit, me kthim deri në 70%, apo dhe koncesionet. Për të dyja, nuhatja në biznes, aftësitë organizative dhe studimet e tregut nuk hyjnë shumë në punë.

Lojërat e fatit kanë shënuar rritje dyshifrore të të ardhurave, paradoksalisht që pas aksionit të qeverisë “Fundi i Marrëzisë” në gjysmën e dytë të 2013-s, teksa normat e fitimit mbeten më të lartat në ekonomi, duke i kaluar edhe 50%.

Koncesionet kanë qenë historikisht biznese “të dhuruara”, me treg të sigurt, mungesë konkurrence e fitime të larta. Edhe për këto biznese mungon një analizë e qartë kosto-përfitime, llogaridhënia është e ulët dhe kontratat vetëm ndryshojnë formë, por nuk prishen asnjëherë dhe rrallë arrihet që publiku të përfitojë më shumë nga ky rinegocim, përkundrazi në disa raste, termat e koncesionit janë ndryshuar në favor të koncesionarit.

Edhe bankat kryesojnë në renditjen e sipërmarrjeve me fitime më të larta në vlerë absolute, kryesisht si rrjedhojë e rimarrjes së provigjoneve pas uljes së kredive të këqija, teksa të ardhurat prej disa vitesh nuk po rriten, në një mjedis me norma të ulëta interesi dhe me një total kredie ndaj biznesit që nuk po njeh zgjerim në vitin e fundit.

Ndërtimi është në një periudhë të mirë ciklike dhe po gjeneron fitime të larta, ndaj nuk është çudi që i gjithë kapitali i lirë po shkon drejt këtij sektori, duke krijuar me shumë gjasa një tepri në ofertë. Qiradhënia, sidomos ajo e praktikuar në qendra tregtare të pozicionuara mirë dhe me infrastrukturën e nevojshme për të përballuar flukse të mëdha njerëzish, po rezulton një tjetër sektor që mund të sjellë fitime të larta, por, jo për të gjithë.

Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, 100 subjektet me fitim më të lartë në vend, fituan në total rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, me një rritje prej 13% në krahasim me 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në 2016-n.

Kjo shumë përbën 33% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në 2017-n. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2017-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në 210 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa 4.8% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

10 SIPËRMARRJET ME FITIMIN MË TË LARTË NË VLERË ABSOLUTE

1.BKT

Banka Kombëtare Tregtare, më e madhja në vend, rezultoi në vitin 2017 si subjekti me fitimet më të larta të vlerë absolute, me fitime prej 8.4 miliardë lekësh, pothuajse e pandryshuar me një vit më parë. Të ardhurat nga interesi dhe komisioni u rritën, por në kahun e kundërt u shtuan dhe shpenzimet e personelit dhe ato administrative. Pozitivisht ndikoi ulja e provigjonimeve për huatë. Norma e fitimit ishte 44%, pothuajse e njëjtë me vitin e kaluar.

2.Raiffeisen

Raiffeisen, banka e dytë më e madhe në vend nga aktivet dhe të ardhurat, kishte një vit mjaft pozitiv në drejtim të fitimeve. Nga humbjet prej 4.4 miliardë lekësh në 2016-n, banka rezultoi me një fitim para taksave prej 4.5 miliardë lekësh në 2017-n, duke u renditur e dyta në vend për nga niveli i fitimeve në vlerë absolute. Ndonëse të ardhurat nga interesat ranë me gati 10%, banka u ndihmua nga ulja e ndjeshme e shpenzimeve për provigjone (rimarrja nga zhvlerësimi i huave i kryer në vitet e fundit).

3.OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka zbritur nga vendi i parë, ku ishte vitin e kaluar. Fitimi ra me 84%, në 3.4 miliardë lekë. Administratori i OSHEE, Adrian Çela, ka pohuar për “Monitor” se 2017-a ishte testi më i fortë që OSHEE ka kaluar prej vitit 2014, për shkak të një situate mjaft të vështirë hidrike, si pasojë e thatësirës më të rëndë të 20 viteve të fundit. “Shqipëria është një vend me varësi të theksuar nga burimet hidrike dhe OSHEE-ja e vuajti këtë varësi gjatë vitit 2017, çka e detyroi ta siguronte energjinë jo nga burimet e vendit, si KESH apo HEC-et private, por nga importi me çmime shumë të larta (gati dyfish) krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo thatësirë i shkaktoi OSHEE-së impakt negativ me mbi 100 milionë euro në financat e saj”, tha Çela.

4 dhe 8. SPIECAPAG

SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG Transadriatica, të krijuara në vitin 2016, që kryejnë punimet inxhinierike për gazsjellësin TAP kanë kulmuar aktivitetin e tyre në 2017-n, duke u renditur mes të mëdhave jo vetëm sipas qarkullimit vjetor, por edhe fitimeve. SPIECAPAG – Shqipëria pothuajse dyfishoi fitimet në 3 miliardë lekë, duke u renditur në vend të katërt, ndërsa SPIECAPAG Transadriatica, deklaroi fitime para taksave prej 1.8 miliardë lekësh, duke u renditur në vend të tetë (hyrje e re në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve).

Spiecapag, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag.

5.Tirana International Airport

Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2017-n, duke u renditur e pesta në total. Sipas të dhënave të publikuara në bilanc, fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2017 arriti në 2.8 miliardë lekë, me një rritje prej 22% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur në vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri.

Norma e fitimit arriti në 47%. Në mars 2016, TIA e zgjati dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare. Por, ndonëse kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes, Kukësi ende nuk ka aeroport funksional. Qeveria është në negociata edhe për ngritjen e një aeroporti në Vlorë.

Një konsorcium i kompanive Cengiz Construction-Kalyon Construction-Kolin Construction për të ndërtuar aeroportin në Jug të vendit që flitet të ketë një kosto 100 milionë euro, ndonëse nuk ka pasur shumë transparencë në lidhje me projektin apo me studimin e fizibilitetit të kryer për të. Dr. Rolf Castro-Vasquez, drejtor ekzekutiv (CEO) i Tirana International Airport ka pohuar se në rast se Vlora do të hapet, TIA pret që një pjesë e trafikut, midis 22-32% t’i kalojë këtij aeroporti, sidomos për operatorët që transportojnë turistë. Kjo do të sillte një rënie të fitimeve për TIA, duke e bërë koncesionarin të rishikonte planet për zgjerimin e aeroportit të Rinasit.

6.Albchrome

Në vitin 2013, grupi Balfin hyri në tregun e mineraleve në Shqipëri përmes blerjes së koncesionit të Albchrome (miniera e kromit e Bulqizës). Në shkurt 2013, ortakët e “ACR Holding” S.r.l. i kanë shitur shoqërisë “Balfin” sh.p.k. 100% të kuotave të “ACR Holding” s.r.l, sipas njoftimit të atëhershëm nga Ministria e Ekonomisë (më herët koncesioni zotërohej nga italianët e Darfo).

Albchrome ka hyrë për herë të parë në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve. Kompania, duke shfrytëzuar koniunkturën e favorshme, ka arritur të rrisë të ardhurat vitet e fundit, duke rezultuar në të njëjtën kohë një sipërmarrje fitimprurëse. Fitimet e saj u dyfishuan në 2017-n, duke arritur në 2.1 miliardë lekë, me një normë përfitueshmërie prej 21.5%.

7.Intesa SanPaolo Bank

Intesa SanPaolo Bank ka zbritur në vend të shtatë (një vit më parë ishte e treta), me fitime prej 1.9 miliardë lekësh, me rënie prej 30% me bazë vjetore. Rënia e të ardhurave, si pasojë e uljes së interesave, ulja e rimarrjes së provizioneve në raport me vitin e kaluar por edhe rritja e shpenzimeve, ka ndikuar në tkurrjen e fitimeve të ISP gjatë 2017. Norma e përfitueshmërisë gjithsesi mbeti në nivele të larta, duke shënuar 34%.

9.APEX – AL

Operatori i lojërave të fatit, APEX-Al është për të dytin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, duke përforcuar një trend të konstatuar vitet e fundit, atë të rritjes së aktivitetit dhe përfitueshmërisë së këtij segmenti. Ky biznes nuk po ndien krizë dhe po shënon rritje vit pas viti. “Përpjekjet” e qeverisë për t’i dhënë fund kësaj “marrëzie”, duket se kanë ndikuar në drejtimin e kundërt. Fitimet e kompanisë ishin 1.7 miliardë lekë, me një rritje prej 36% me bazë vjetore. Norma e përfitueshmërisë është ndër më të lartat në vend, prej 70%.

10.GSA

Operatori i tregtimit të energjisë, GSA, është një tjetër hyrje e re në dhjetëshe. Thatësira e tejzgjatur e vitit të kaluar, nxiti nevojën për importe të energjisë, duke i dhënë hov aktivitetit të tregtuesve të energjisë elektrike. Sipas bilancit, fitimi para taksave i GSA u trefishua në 1.4 miliardë lekë, ndërsa norma e përfitueshmërisë ishte 12%.

RENDITJA E KOMPANIVE MË TË MËDHA NË VËND, SIPAS FITIMEVE (MIN LEK)

TË ARDHURATFITIMET PARA TATIMIT
# EMRI SEKTORI 2017 Ndryshimi vjetor (%) 2016 2017 Norma fitimi (%)
1 BANKA KOMBËTARE TREGTARE Shërbime bankare 19,162 10.3 8,536 8,413 43.9
2 RAIFFEISEN BANK SH.A Shërbime bankare 10,609 (12.1) (4,445) 4,469 42.1
3 OSHEE Shpërndarja e energjisë elektrike 60,432 (2.6) 21,356 3,406 5.6
4 SPIECAPAG – SHQIPËRIA* Ndërtim i linjës furnizuese të gazsjellësit TAP 27,873 85.4 1,843 3,030 10.9
5 TIRANA INTERNATIONAL AIRPORT Koncesioni i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” 5,996 13.9 2,309 2,818 47.0
6 ALBCHROME Nxjerrje dhe përpunim kromi 9,820 30.1 964 2,113 21.5
7 INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA Shërbime bankare 5,698 (12.4) 2,764 1,935 34.0
8 SPIECAPAG Transadriatica* Ndërtimi i linjës furnizuese të gazsjellësit TAP 16,828 180.6 201 1,801 10.7
9 APEX – AL Lojëra fati 2,476 (0.1) 1,272 1,736 70.1
10 GSA Tregtim energjie elektrike 11,904 137.1 434 1,422 11.9
11 OPERATORI SISTEMIT TË TRANSMETIMIT OST Transmetimi i energjisë elektrike 5,967 2.6 1,127 1,299 21.8
12 KASTRATI Hidrokarbure 43,413 (2.2) 1,310 1,201 2.8
13 INTERCOM DATA SERVICE Call center 3,013 14.0 550 1,074 35.6
14 ALB-BUILDING Ndërtim 3,514 85.1 375 1,021 29.0
15 BANKERS PETROLEUM ALBANIA LTD Hidrokarbure 23,879 16.6 -10,780 896 3.8
16 GJOKA KONSTRUKSION Ndërtime 4,501 32.3 819 857 19.0
17 KASTRATI Tregti me pakicë, hidrokarbure 14,440 12.8 800 855 5.9
18 ITX Albania Shitje me pakicë e veshjeve 3,099 20.2 668 753 24.3
19 INFOSOFT SYSTEMS Tregtim i sistemeve për përpunimin e të dhënave 2,674 (11.4) 847 710 26.6
20 ABKONS Shërbime këshillimi 1,664 0.4 200 681 40.9
21 ALBANIA MARKETING SERVICE Call center 3,590 0.1 679 665 18.5
22 ALEAT Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit dhe pasaportave elektronike 2,231 (22.9) 1,114 643 28.8
23 MANETCI ndërtim 1,621 (7.1) 1,132 639 39.4
24 AGNA Import eksport i mallrave industriale e ushqimore 14,156 10.2 598 623 4.4
25 ASTRA ALBANIA Lojëra fati 2,082 0.9 557 622 29.9
26 ALBANIAN DISTRIBUTION & DEVELOPMENT Tregti me shumicë dhe pakicë të artikujve industrialë dhe ushqimorë 4,710 12.6 486 600 12.7
27 BANKA AMERIKANE E INVESTIMEVE Shërbime bankare 1,828 21.3 420 594 32.5
28 ALFA SH.A. Import-eksport mallrash të ndryshme, prodhim 9,425 10.4 479 555 5.9
29 ELKA-SA Tregti e përgjithshme me shumicë dhe pakicë. 4,030 (1.2) 544 529 13.1
30 TIRANA EAST GATE Dhënie me qIra të objekteve 1,154 1.0 405 514 44.6
31 BANKA E PARË E INVESTIMEVE Shërbime bankare 1,324 5.1 429 513 38.8
32 KESH Prodhim i energjisë elektrike 11,213 (36.7) 1,787 506 4.5
33 VLT ALBANIA Lojëra fati 1,099 3.4 449 500 45.5
34 PROFARMA Prodhim produkte farmaceutike 2,164 7.9 376 488 22.6
35 FONDI BESA Shërbime financiare 2,050 13.5 479 486 23.7
36 BANKA SOCIETE GENERALE ALBANIA Shërbime bankare 3,947 (0.6) 455 478 12.1
37 ANTEA CEMENT Prodhim, përpunim materiale ndërtimi (Çimento) 6,853 51.6 (552) 478 7.0
38 INFO-TELECOM Telekomunikacione 14,902 9.3 269 465 3.1
39 COCA-COLA BOTTLING SHQIPËRIA Prodhim, ambalazhim, shpërndarje dhe shitje e pijeve joalkoolike 3,649 11.5 340 462 12.7
40 ALBAMETAL Prodhim, tregtim i çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit 12,340 114.7 723 455 3.7
41 REGENCY INTERNATIONAL CASINO TIRANA Lojëra fati 1,379 42.7 205 446 32.3
42 DREJT. PËRGJ. E SHËRB. TRANS. RRUG. Shërbime transport rrugor 1,345 11.2 497 439 32.7
43 PE – VLA – KU Ndërtime civile, infrastrukturë 1,240 199.8 49 438 35.4
44 ADRIATIK GAME Lojëra fati 2,252 6.9 354 434 19.3
45 BANKA CREDINS Shërbime bankare 10,042 (2.8) 1,351 427 4.2
46 NEPTUN Tregti, import-eksport mallrash të ndryshme elektroshtëpiake 7,507 11.3 271 416 5.5
47 UNION BANK Shërbime bankare 2,335 4.8 210 407 17.4
48 2 T Ndërtime civile dhe industriale, rrugë 2,243 113.9 68 399 17.8
49 ALBAELETTRICA Tregti, sisteme të pajisjeve elektrike 3,570 33.9 305 395 11.1
50 GENER 2 Ndërtime civile, infrastrukturë 8,481 18.5 261 390 4.6
51 EKMA ALBANIA Dhënie me qIra të objekteve 500 4.4 361 381 76.1
52 LC WAIKIKI RETAIL AL Tregtim veshjesh 3,048 42.5 402 370 12.1
53 KURUM INTERNATIONAL* Prodhim, tregtim i çeliqeve të ndërtimit dhe hekurit 19,845 44.2 (495) 364 1.8
54 BRUNES. Tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramike dhe hidrosanitare, 3,138 12.0 195 362 11.5
55 MEDITERRANEAN SHIPPING COMPANY ALBANIA Agjent portual 1,005 (12.5) 391 355 35.3
56 KID ZONE Shitje me shumicë e pakicë, veshje, produkte industriale 1,622 12.8 84 350 21.6
57 BOLV – OIL Hidrokarbure 9,219 22.0 609 346 3.8
58 BFI TRADE Blerja, shitja, shkëmbimi dhe tregtimi i mineraleve 2,175 89.1 134 334 15.4
59 EUROSIG Shërbime financiare-sigurime 2,303 0.6 101 329 14.3
60 ABCOM Telekomunikacion 1,792 2.5 354 318 17.8
61 VIBTIS Import-eksport i produkteve industriale 2,847 77.7 175 309 10.9
62 ALBACALL Call center 3,048 (3.1) 481 308 10.1
63 SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA Shërbime financiare-sigurime 4,003 (0.6) 458 306 7.7
64 MARKETING & DISTRIBUTION Import-eksport me shumicë të mallrave industriale e ushqimore 8,070 (23.1) 318 298 3.7
65 INTER DISTRIBUTION SERVICES Import-eksport i mallrave industriale e ushqimore 13,605 6.1 267 291 2.1
66 CURRI Ndërtim 1,632 52.5 97 290 17.8
67 JOINT VENTURE RENCO TERNA ALBANIA Infrastrukturë, punime për TAP 3,426 302.0 14 287 8.4
68 NAZERI – 2000 Shërbime ruajtje e sigurie 778 57.6 106 287 36.9
69 EMANTE Tregti e artikujve të ndryshëm 877 162.7 79 286 32.6
70 G.P.G. COMPANY Punime të ndërtimit për objekte civile, industriale, turistike etj. 1,857 46.9 198 286 15.4
71 EGI-K Shfrytëzim mineralesh nëntokë dhe mbitokë 628 35.6 255 284 45.2
72 ROSSMANN-LALA Tregtimi i një game produktesh parfumerie, kozmetike, bukurie 2,247 13.1 227 281 12.5
73 ZODIAC Tregtimin e artikujve të ndryshem industrialë 2,714 55.1 125 272 10.0
74 SALILLARI Ndërtim në infrastrukturë 2,825 10.0 374 267 9.4
75 S2 ALBANIA Zbatimi i marrëveshjes së koncesionit të skanimit 1,567 2.3 157 261 16.7
76 BILLA & CO Import-eksport dhe shitje me shumice dhe pakicë të mallrave e lëndëve të para për industrinë e ndërtimit 1,707 24.5 176 259 15.2
77 MEKTRIN MOTORS Tregti automjetesh 3,586 179.4 49 252 7.0
78 ALBPETROL* Kryerja e Operacioneve Hidrokarbure 8,582 62.5 1,000 252 2.9
79 INTERBRANDS Importim, eksportim dhe tregtim me shumicë dhe pakicë 2,030 5.6 210 249 12.3
80 ALB-ENERGY Prodhim energjie, koncesion HEC 402 (13.9) 243 244 60.7
81 EVITA Tregtim I produkteve farmaceutike, mjekesore 830 55.4 116 242 29.2
82 ENBI POWER Mirëmbajtje e sistemeve energjetike 1,012 6.1 108 241 23.8
83 RAFAELO 2002 Ndërtim, turizëm, import-eksport 5,007 38.2 275 237 4.7
84 ETS SHPK Ndërtim dhe instalim I impianteve elektrike 595 36.5 89 236 39.7
85 INTER TRADE & DISTRIBUTION Tregti me shumicë e pakicë 1,786 0.0 220 235 13.2
86 TURGUT OZAL EDUCATION Institucion arsimor 1,697 1.7 150 233 13.7
87 U.E. T.* (EUROPEAN EDUCATION INITIATIVE) Arsim I Lartë n/a n/a 102 232 n/a
88 UFO Arsim I Lartë 1,349 (0.3) 276 225 16.7
89 B.M SHPK Tregti e artikujve të ndryshëm bujqësorë 929 40.9 94 224 24.2
90 GEN – I Tirana Tregtim energjie elektrike 7,596 178.1 61 223 2.9
91 SHEGA – TRANS Transport ndërkombetar mallrash, agjenci detare 2,276 6.8 239 223 9.8
92 UNIONI FINANCIAR TIRANË Shërbime financiare 597 14.6 194 223 37.3
93 ALDENT Arsim I Lartë 444 13.6 192 220 49.6
94 EURON ENERGY Prodhim energjie, koncesion HEC 319 (16.2) 180 220 69.0
95 MONTAL Import dhe tregtim I pajisjeve mjekësore 897 1.0 268 220 24.5
96 AUTORITETI PORTUAL DURRËS* Shërbime portuale 1,887 3.3 227 218 11.6
97 KA TRADING Prodhim dhe shitje e artikujve higjenikë 948 (12.1) 234 215 22.7
98 SGS AUTOMOTIVE ALBANIA Kontrolli teknik I Automjeteve (koncesion) 899 3.9 196 212 23.5
99 STERKAJ Ndërtime civile e industriale 2,345 15.5 164 210 8.9
100 ALBA KONSTRUKSION Ndërtime civile e industriale 1,878 70.2 129 209 11.1

 

(Monitor)


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *