• |
ide | kryesore

Banane dhe drogë/ Si u trafikuan 2 ton kokainë në Gjermani nga banda shqiptare

Lajme, Të fundit


Në Gjermani do të nisë gjyqi më i madh kundër trafikut të kokainës. Në bankën e të akuzuarve është një bandë shqiptare, që ka trafikuar mbi 2 ton kokainë.

Nga Martin Bernstein, Sueddeutsche Zeitung 

Një gjerman konsumon rreth 10 kg banane në vit mesatarisht. Në një supermarket të ReWe në Kiefersfelden, pranë kufirit gjermano-aistriak, punonjësit po mbushnin raftet me fruta e perime. Sapo kishte mbërritur një ngarkesë nga qendra e furnizimit në Eitting. Punëtorët hapën arkën e parë dhe panë diçka të çuditshmes mes frutave: një substancë të bardhë të paketuar me plastikë. Kokainë. Krejt papritur nisën të vinin njoftime nga të paktën dhjetë supermarkete të tjera ReWe në Bavarinë jugore. Në total u kapën 228 kilogramë kokainë, aq sa konsumohet në gjithë Mynihun për dy vite. Substanca është shumë e përqendruar dhe një analizë zbulon më shumë se 80 përqind të hidroklorurit të kokainës aktive.

Por kjo drogë nuk është planifikuar për tregun vendas. Klientët e kontrabandës së dështuar të drogës ndodhen në Holandë dhe në Shqipëri- kontaktet e tyre familjare shkojnë deri në Amerikën e Jugut. Këtë e mësojnë hetuesit nga shumë lande gjermane disa muaj më vonë. Në total sigurohen 860 kg kokainë dhe arrestohen më shumë se një dyzinë anëtarësh të dyshuar të një bande shqiptare. Kundër tetë prej tyre, prokuroria e Landshut ka ngritur akuza. Pritet të nisë kështu një prej proceseve më të mëdha kundër kokainës në historinë gjermane. Në përgjithësi, thuhet se banda ka kontrabanduar rreth 2 ton drogë.

Por ajo që vlen më shumë për hetuesit është kjo: Për herë të parë ata mundën të fitojnë njohuri mbi strukturën e një bande të mafias shqiptare për ta shkatërruar plotësisht.

Sallat e pjekjes si pika të grumbullimit

‘Thjesht e pabesueshme,’ kështu e përshkruan drejtori i Zyrës Bavareze për Hetimet Kriminale, Joerg Beyser, gjendjen e hetuesve në fund të prillit 2018. Beyser dhe shtatë kolegët e tij nga Njësia e Përbashkët e Hetimit të Drogës koordinuan një aksion ku u përfshinë 500 zyrtarë. Nuk ishte një detyrë e lehtë. Kjo për shkak se pikat kryesore të kontrabandës së kokainës janë sallat për pjekjen e bananes. Fruti vjen nga Amerika me ngjyrë të gjelbër dhe e merr ngjyrën e verdhë dhe të shijshme përmes nxehtësisë dhe tymosjes së etilenit.

Në Eitting, pranë Erding, ndodhet një prej këtyre qendrave të pjekjes së bananeve. Direkt aty është magazina e rrjetit të supermarketeve ReWe, që e merr furnizimin këtu dhe e shpërndan nëpër dyqane. Gjashtë ditë përpara se të gjendej kokaina misterioze, dy persona të panjohur futen në qendrën e logjistikës, por nuk marrin asgjë. Si është e mundur? Po kërkonin paketat e kokainës dhe nuk i gjetën dot? Dyshimi lind te hetuesit për shkak se qendra e logjistikës dhe salla e pjekjes së frutave janë vendosur gabimisht në Google Earth.

Hetime kundër të panjohurës

Tre ditë pas zbulimit eksploziv në raftin e frutave, prokuroria nis hetimet. “Trafik narkotikësh në sasi të mëdha,” thuhet fillimisht në akuzë, pavarësisht se po veprohet kundër diçkaje të panjohur.

Kutitë e bananeve, ku ndodhej droga, vinin nga Ekuadori. Ngarkesa u shkarkua fillimisht në portin e Hamburgut, pastaj kutitë u sollën me kamion në Eitting. Vetëm dy ditë më parë ishte raportuar për një hyrje në një sallë pjekjeje në Dietzenbach. Të tjera hyrje të paligjshme u regjistruan në salla të tjera në nëntor e dhjetor. Pas peshimit të paletave, u zbulua se ato janë rreth 420 kg më të lehta se më parë. Se çfarë substance mungonte, u mësua më vonë për Krishtlindje, kur kokaina nisi të shfaqej në supermarket mes bananeve. Substanca që nuk gjetën autorët peshon më shumë se 450 kg.

Gafat ndodhin edhe në këtë rast. Por trafikantët e kokainës e dinë me saktësi se ku duhet të kërkojnë substancën e tyre. Fotot nga kamerat e sigurisë tregojnë se hajdutët kërkojnë me celular lloje të veçanta të bananeve. “Numri i vendosur mbi kuti ishte një orientues për ta. Ai u tregonte se tek cila paletë është droga,” thotë shefi i hetimeve, Beyser. Pakot me kokainë futen në çanta dhe më pas dërgohen në një Opel Vivaro për transportim në Holandë.

Edhe në Mynih shfaqet një Vivaro. Tani është mars, banda është nën vëzhgim. Pranë tregut të shitjes me shumicë në Mynih është  një tjetër sallë ku piqen bananet. Mëngjesin e 24 marsit shfaqen aty dy trafikantë, por dalin jashtë me duar bosh. Diçka shkon keq. Se çfarë, kontrabandistët e kokainës nuk kanë kohë ta mendojnë: Gjithçka po vëzhgohet, pastaj vijnë urdhër-arrestet.

Kokainë me vlerë miliona

Kur banda shfaqet në Hanover dhe Hamburg në prill, rrethi vjen duke u mbyllur. Hetuesit e dinë tashmë se kush e merr Vivaro-n e pastër dhe se si komunikojnë njerëzit me njëri-tjetrin. Më 25 prill, pak para mesnatës, makina ndalon në portin e Hamburgut pranë një skele ngarkimi. Qindra metra më tej është autoriteti doganor. Nëntë çanta plot me drogë ngarkohen në Vivaro. Me një konvoj me dy makina të tjera, kontrabandistët drejtohen për në kufirin holandez. Për të maskuar ngarkesën, Vivaro është mbushur me piktura dhe enë artizanale. Destinacioni i udhëtimit është Roterdami.

Por aty nuk mbërrijnë kurrë makinat, shoferët e tyre dhe ngarkesa e nxehtë. Rruga e trafikantëve mbaron në A57. Menjëherë pas orës pesë të mëngjesit, hetuesit i ndalojnë tre veturat njëra pas tjetrës. Në total kapen 180 kg kokainë me vlerë 5.4 milionë euro. Arrestohen katër burra. Gjatë natës pasojnë arrestime të tjera, më vonë edhe në Rumani. Në dhjetor, katër shoferët dënohen në Hamburg nga një gjykatë e shkallës së parë dhe duhet të vuajnë vite të tëra burg. Megjithatë gjykimi nuk ka përfunduar pasi mbrojtësit e tyre kanë apeluar.

Por ky është vetëm preludi: Mes personave të akuzuar në Landshut dhe Mynih është edhe personi kryesor që ka organizuar trafikun e drogës.

Kreu i hetimeve, Beyser, thotë: “Kemi mbyllur brenda vetëm një pjesë të vogël të autorëve”. Grupi i përket mafies së Ballkanit Perëndimor. “Këta njerëz njihen për tolerancë të ulët kundër dhunës”. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Krimeve në Gjermani, mafia shqiptare renditet e treta pas grupeve vendase dhe bandave turke për trafikun e dogës, përpara konkurrentëve italianë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *