• |
ide | kryesore

SHBA rivendos nivelin e raporteve diplomatike me BE, e njihte si ‘organizatë ndërkombëtare’

Planet



Shtetet e Bashkuara njoftuan se e kanë rikthyer misionin e Bashkimit Evropian në Uashington në statusin e tij të mëparshëm, duke e quajtur BE-në si një nga “partnerët e saj më të vlefshëm”. 

“Departamenti i Shtetit do të njohë përsëri përfaqësimin e Bashkimit Evropian në Uashington si të barazvlefshëm më atë të një misioni dypalësh” tha ambasadori i SHBA-së në BE, Gordon Sondland.

Sipas tij, Bashkimi Evropian është një “organizatë me rëndësi të veçantë dhe një nga partnerët më të vlefshëm të SHBA-së në çështjet e prosperitetit dhe sigurisë botërore”. 

“Bashkëpunimi dhe niveli i angazhimit dypalësh duhet të njihen në të gjitha nivelet pasi siguria dhe suksesi i Evropës janë të lidhura ngushtë me atë të SHBA-së” shtoi ambasadori Sondland.

Në fund të vitit të kaluar, SHBA-ja e uli statusin diplomatik të misionit të BE-së nga “shtet anëtar” në “organizatë ndërkombëtare”. Ky veprim u vlerësua si një goditje më shumë në raportet e trazuara transatlantike.

Vitet e fundit raportet mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian janë përkeqësuar. Administrata e presidentit Donald Trump, vitin e kaluar, vendosi tarifat për çelikun dhe aluminin ndaj BE-së.

Bashkimi Evropian konfirmoi në janar se po zhvillonte bisedime me zyrtarët e SHBA-së lidhur me statusin e misionit diplomatik. Deklarata në atë kohë u bë pasi transmetuesi ndërkombëtar gjerman, Deutsche Welle, raportoi se ambasadori i BE-së në SHBA, në dhjetor, nuk mori ftesë për funeralin e ish-presidentit të SHBA-së, George H.W. Bush.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *