• |
ide | kryesore

Detajet/ Nxënësit në Bulqizë u helmuan nga sapuni 15 lekësh

Lajme, Të fundit


12 Nxënës të klasës së 6-të të shkollës “Shefqet Tançi” në Bulqizë u helmuan gjatë orës së “Artit Pamor” paraditen e sotme. Dyshohet se helmimi erdhi pasi fëmijët hapën paketimin e një sapuni të lirë të cilin do e përdornin për të bërë forma gjeometrike.

Gazmir Sejdi, drejtor i shkollës 9-vjeçare në Bulqizë i tha BIRN se fëmijët kishin “marrë nga ata sapunat e vjetër, 15 lekësh që kanë qenë dikur” dhe se kanë shfaqur shqetësime sapo kanë hapur paketimin.

“Kishin probleme me frymëmarrjen. Menjëherë i kemi nisur në Spitalin e Bulqizës dhe aktualisht fëmijët janë në gjendje të mirë, pa ndonjë problem të rëndë”, u shpreh Sejdi.

Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Hazis Jella konfirmoi se fëmijët kishin shkuar në spital “me komplikacione të tilla si probleme me frymëmarrjen dhe të vjella”. Jella tha po ashtu që dyshohej se problemet të kishin ardhur prej sapunit. “Pediatri ju ka dhënë ndihmën e parë, dhe fëmijët tani janë mirë, pa probleme. Ne këtu kemi pritur 12 fëmijë me këto shenja”, vijoi ai.

Policia bëri me dije se priteshin analizat, për të parë nëse problemi ishte sapuni që ishte përdorur.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *