• |
ide | kryesore

Replika e Ramës ndaj Haradinajt, deputeti i AAK-së: Lojë neveritëse nën dinjitetin e një kryeministri

Lajme, Planet


Pas përfundimit të punimeve të Samitit të Berlinit, që mblodhi të hënën udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në një tryezë informale bisedimi me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, zuri fil një debat në distancë mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt dhe homologut të tij bashkëkombas në Shqipëri, Edi Ramës.

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për televizionin “T7”, Haradinaj është shprehur se kryeministri Rama së bashku me presidentin Hashim Thaçi, i kanë bërë presion edhe më shumë se vetë “e zonja e shtëpisë”  për të hequr taksën e vendosur kundrejt mallrave dhe produkteve të importit me origjinë nga Serbia. Në kundërgjigje, numri një i ekzekutivit shqiptar ka reaguar mbrëmjen e djeshme përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, duke mohuar akuzën e Haradinajt. “Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Madje askush as ia ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo.”- shkruan Rama duke shtuar se në të vërtetë i ka kërkuar kreut të qeverisë së Kosovës vetëm që të japë pëlqimin lidhur me pezullimin e përkohshëm të taksës për një periudhë që varion nga 4-6 muaj.

Lidhur me debatin, ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, i cili e ka cilësuar përgjigjen e Ramës si një lojë neveritëse nën nivelin e dinjitetit të staturës së një lideri. “Loja me fjalë e Edi Rames për mohimin se ai nuk i paska kërkuar Ramush Haradinajt heqjen e taksës, por ia paska sugjeruar në dy raste pezullimin e saj, është neveritëse dhe nën dinjitetin e një kryeministri.”- ka shkruar Nitaj në një status të publikuar në llogarinë e tij personale në “Facebook”.

Më tej, deputeti Nitaj shton se qendrimi i Ramës në marrëdhënien konflikutale mes Kosvës dhe Serbisë është i njëanshëm, duke i kujtuar se elita e Kosovës nuk po mban anën e askujt në krizën politike të Tiranës zyrtare. “Nëse Edi Rama do që vërtetë të flasë e ta ndihmojë Kosovën, duhet të mos marrë anë, jo vetëm në relacionin ndërmjet Kosovës e Serbisë, por as brendapërbrenda Kosovës, siç ne nuk po marrim anë në përplasjen e madhe politike në Tiranë!”- ka përmbyllur reagimin e tij ligjvënësi i AAK-së.


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *