• |
ide | kryesore

Strehimi i 4 milionë refugjatëve sirianë, Erdogan: Evropa na ka borxh paqen

Planet



Kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se paqja dhe stabiliteti i sotëm në Evropë, është në të vërtetë një kontribut direkt i Turqisë, që hapi dyert për strehimin e katër milionë refugjatëve, në veçanti gjatë krizës humanitare dhe luftës civile të vitit 2011 në Siri. “Evropa i ka borxh Turqisë për strehimin e katër milionë refugjatëve. Nëse shtetet evropiane jetojnë në paqe sot, kjo është falë Turqisë.”- u shpreh Erdogan në ligjëratën e tij të mbajtur me rastin e një evenimenti mbi inovacionet të organizuar në Qendrën e Kongreseve në Stamboll.

Duke folur më tej mbi këtë çështje, Erdogan theksoi se pavarësisht se Turqia nuk është përkrahur nga shtetet e tjera partnere në përpjekjet për rindërtimin e Sirisë, do të vazhdojë të angazhohet në këtë drejtim me çdo kusht dhe duke mos u sprapsur ndaj asnjë kërcënimi. “Çdo veprim ekonomik dhe politik kundër pavarësisë së shtetit tonë është i destinuar të dështojë”, tha lideri i partisë islamo-konservatore, AKP-së.

Lufta civile në Siri zuri fill në vitin 2011 kur regjimi autoritar i Bashar al-Assad-it ndërmori forma represioni mbi protestat spontane pro-demokratike. Bazuar në të dhënat e misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për rrjedhojë të përleshjeve, me mijëra civilë kanë humbur jetën dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *