• |
ide | kryesore

Vuçiç për mediat serbe: Ramës e Thaçit u thashë të mbledhin mendjen, jo ëndrra për bashkim kombëtar

Lajme, Të fundit


Kreu i shtetit serb, Aleksandër Vuçiç, ka treguar mbi bisedat që ka zhvilluar me homologun e tij, presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, gjatë këtyre dy ditëve të vizitës së tij në Tiranë, në kuadër të punimeve të Samitit të Brdo-Brijonit. “Unë iu thashë atyre, mblidhni mend, ju duhet t’i drejtoheni dialogut, sepse ky nuk është një teatër ku ju flisni për ëndrra rreth bashkimit kombëtar”, është shprehur Vuçiç për median serbe, “Novosti”,  lidhur me deklarimet për një unifikim të mundshëm kombëtar.

Përsa i përket këmbënguljes së presidentit Thaçi me kërkesën e vazhdueshme për ndërmjetësim dhe koordinim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në arritjen e një marrëveshjeje që do të garantojë rivendosjen e dialogut me Serbinë, Vuçiç  thekson se përgjegjësia për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale, u takon vetëm palëve të përfshira në konflikt. “Unë iu thashë, nuk ia vlen, ju mund të telefononi Kolina Grabar Kitaroviqin, Borut Pahorin e Andrej Dudën, dhe amerikanët, por pyetja është që këto janë vetëm raporte ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, dhe ne duhet të zgjidhim këtë”, ka thënë presidenti serb.

Vuçiç u ndodh në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e organizuar nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta. Të pranishëm në takim ishin edhe liderët e rangut presidencial të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, të ftuar nderi ishin presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e Përbashkët, Federica Mogherini.

Samiti përkoi me “Ditën e Evropës”, përcaktuar si e tillë pasi më 9 maj të vitit 1950, ish-ministri i Jashtëm francez, Robert Shuman, bazuar në metodën komunitare të ideatorit Zhan Mone, deklaroi themelimin e një Komuniteti Evropian të Qymyrit dhe të Çelikut, përmes të cilit synohej pajtimi i interesave ekonomike të Francës dhe të Gjermanisë. Përmes një tryeze bisedimi mes krerëve të rajonit, u kërkua të përcillej mesazhi i aspiratës së përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.

Në mbyllje të Samitit, u bashkëmiratua një dokument me konkluzionet e takimit.

 


1 Comment

  1. Asnje gazete apo portal serb nuk boton se cfare ka thene rama thaci haradinaj,por si gjithmone portalet pro serbo-ruse ne shqiperi syri lapsi exit etj na vene ne dijeni se cfare tha vucic dhe kur ky nuk flet fare,bravo porthalet shqiptare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *