• |
ide | kryesore

Thaçi dhe Vuçiç takohen tri herë brenda tri javëve

Lajme, Planet


Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si edhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, janë takuar ditën e djeshme gjatë ceremonisë së mbajtur në Shkup për prezantimin e kreut të ri të shtetit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski-t.

Ky është takimi i treti në radhë mes Thaçit dhe Vuçiçit në një hark të shkurtër kohor, pas shkëmbimit në Samitin e Brdo-Brijunit të mbajtur në Tiranë katër ditë më parë, si edhe pas përballjes tri javë më parë në punimet e Samitit të Berlinit, ku u mblodhën në një takim informal gjashtë lidëret e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një takim informal me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron. Kohëve të fundit, të dy presidentët janë akuzuar për mbajtjen e takimeve të fshehta për negocimin e një marrëveshjeje lidhur me mundësinë e korrigjimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, në këmbim të rivendosjes së dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Në ceremoninë parlamentare të bërjes së betimit të presidentit të ri të maqedonasve, morën pjesë përfaqësues të rangut presidencial të vendeve të rajonit të Ballkanit, si edhe zyrtarë të lartë të shteteve të tjera. Pendarovski, si kandidat i përbashkët i koalicionit qeveritar të kryesuar nga LSDM-ja, arriti të fitojë zgjedhjet duke marrë rreth 52 % të votave, kundrejt kandidates rivale të opozitës, Gordana Siljanovska Davkova-s, e cila u rendit e dyta me vetëm 44,5 % të përkrahjes së elektoratit.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *