• |
ide | kryesore

Samiti, Haradinaj i kërkoi Merkelit njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës

Lajme, Të fundit


Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri një tjetër përpjekje për të ulur në tryezën e bisedimeve udhëheqësit e Prishtinës dhe Beogradit.

Në fillim të ditës së dytë të samitit të Poznanit, Merkeli priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryeministren serbe Ana Brnabiç. Por duket se përpjekjet e saj nuk dhanë rezultat.

Duke folur pas takimit të krerëve të qeverive, kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha se njohja e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës do të ishte “çelësi për integrimin më të mirë dhe më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”.

“Ne jemi të përgatitur të heqim tarifat, por ne duhet ta njohim njëri-tjetrin. Nëse dikush nuk e njeh ekzistencën tonë, nuk mund të kemi marrëdhënie ekonomike që kërkojnë marrëdhënie politike. Njohja reciproke është në interes të Serbisë dhe Kosovës,” tha Haradinaj.

Kryeministri Edi Rama, deklaroi pas samitit se vendet e Ballkanit, kanë vetëm një rrugë, atë të bashkëpunimit rajonal. Ndërsa në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, dhe kërkesës së tij për pezullimin e përkohshëm të tarifave, Rama tha se Kosova humbi një shans historik.

Në të kaluarën Rama dhe Haradinaj shkëmbyen replika në distancë, por gjatë këtij samiti u panë bashkë. Pas samitit, kancelarja Merkel tha se BE-ja ka përgjegjësi strategjike për rajonin.

“Procesi i Berlinit duhet të ndihmojë miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor të punojnë së bashku dhe të kontribuojnë për realizimin e perspektivën europiane. Kjo është edhe në interesin tonë. Ne kemi përgjegjësi strategjike për rajonin,” tha Merkel.

Gjatë samitit mbi Ballkanin Perëndimor në Poznan, Bashkimi Europian konfirmoi angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me rajonin, duke ndërmarrë një sërë masash konkrete me fokus në pesë fusha kyçe: transporti dhe energji, dixhitalizimi, ekonomia, siguria dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Gjatë këtij samiti u pritën edhe sinjale për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Për këtë presidenti polak Andrzej Duda e kritikoi Bashkimin Europian për vonimin e çeljes së bisedimeve të anëtarësimit me këto dy vende.

Ai shtoi se vendet e Ballkanit, kanë realizuar shumë detyra për të lehtësuar bisedimet e anëtarësimit.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *