• |
ide | kryesore

Urdhri i Ramës, japin dorëheqjen gjashtë drejtorë në Shkodër

Arkiva


Një ditë pas urdhrit të dhënë nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, disa nga drejtorët më të rëndësishëm politikë në Shkodër janë dorëhequr nga detyra.

Lidhur me këtë njësi vendore, Rama kishte paralajmëruar “furtunë” në një takim të mëhershëm këtë javë me drejtuesit e qarqeve të veriut, ku citohet të ketë thënë: “Do iki çdo drejtor, me të mirë ose të keq. Janë të gjithë të mbaruar. Do të bëjmë një ndryshim radikal”, duke shtuar edhe porosinë që në të gjitha postet drejtuese të emërohen gra, pa dhënë një arsyetim bindës për këtë seleksionim të punonjësve të institucioneve lokale mbi baza gjinore.

Të dorëhequrit janë: Kadri Ymeri, drejtor i DAR Shkodër;  Mustaf Kraja, drejtor i Bujqësisë Shkodër; Luan Heta, drejtor i HEC Vau Dejës; Edmond Emini, drejtor i Postës Shkodër ( Kryetar i PS Shkodër); Agim Dardha, drejtor Administrata e Zonave te Mbrojtura në Shkodër dhe Astrit Beci, drejtor i Shëndetit Publik në Shkodër.

Ndërkohë, pritet të tërhiqet nga detyra edhe Ardian Dajti, drejtor i Spitalit Shkodër

Një ditë më parë, Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia, në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politik të qarkut Shkodër, tha se është marrë vendimi që të shkarkohen të gjithë drejtorët aktualë rajonalë dhe se prioritet për plotësimin e vendeve vakante do të kenë femrat.

Kadia shtoi se gratë dhe vajzat do të kenë prioritetet për të qenë në krye të drejtorive të Shkodrës.

“Ndjej të domosdoshme të bëj një komunikatë. Të gjithë drejtorët e bashkisë Shkodër iu komunikua se duhet të japin dorëheqjen. Vendet do të plotësohen nga persona që do jenë brenda këtyre institucioneve. Do ngrihet një komision qytetar për të përcaktuar zëvendësuesit. Prioritet do të kenë në këto vende vakante që do të krijohen gratë, për të qenë drejtuese të këtyre institucioneve”, tha Kadia.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *