• |
ide | kryesore

Trump merr vendimin, 640 trupa amerikane do të qëndrojnë në Kosovë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar mbështetjen për operacionet e forcave të armatosura ndërkombëtare në Kosovë, pak ditë pasi qeveria e re e Kosovës ka dhënë shenja të zotimit për dialog me Serbinë.

Me një letër drejtuar dy dhomave të Kongresit, presidenti Donald Trump informoi të martën se trupat amerikane të KFOR-it do vazhdojnë misionin e garantimit të sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në territorin e vendit.

Forca e Kosovës operon që nga 11 qershori i vitit 1999 pas konfliktit Kosovë-Serbi, me një rezolutë të Kombeve të Bashkuara dhe me përfshirjen e NATO-s e institucioneve partnere.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë trupa në Forcën e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët dhe institucionet ndërkombëtare për të parandaluar armiqësitë e reja në Kosovë. Rreth 640 ushtarë amerikanë janë pjesë e personelit prej 4 mijë trupash të KFOR-it. Si kryekomandant unë udhëzoj pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të SHBA-ve në të gjitha operacionet e lartpërmendura,” shkroi Trump në letrën e tij.

Në mars të këtij viti, dy senatorë amerikanë paralajmëruan se SHBA-ja mund të tërheqë trupat ushtarake nga Kosova nëse nuk do të shfuqizohej tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Qëndrimin e shprehën edhe emisari i posaçëm për bisedimet dypalëshe, Riçard Grënell.

Kjo masë u zëvendësua me reciprocitet nga ish-kryeministri Albin Kurti por u pezullua javën e kaluar nga pasardhësi i tij, Avdullah Hoti, për të hequr sipas tij një nga pengesat e fundit për vazhdimin e dialogut me fqinjin verior.

Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar nga nëntori i vitit 2018 kur kryeqeveritari i kohës, Ramush Haradinaj, nisi politika maksimaliste që do acaronin marrëdhëniet dypalëshe.

Negociatat mes Kosovës e Serbisë ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian prej vitit 2011 dhe kanë për synim njohjet reciproke dhe pajtimin mes shteteve fqinje.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *