• |
ide | kryesore

Gjasula, me strategji kundër Polonisë: “Është e rëndësishme ta lëmë grupin hapur për ndeshjet në fund”

-Instant, Sport, Video


Në mesfushën kuqezi rikthehet Klaus Gjasula, me energjitë e një transferimi te Darmstad, vetëm pak javë më parë, por që mund ti japë një shtysë të re karrierës së mesfushorit: “Ndihem gjithmonë gati për të luajtur me Kombëtaren. Për mua është e rëndësishme tani që të bëj prapë minuta në fushë, sepse më ka munguar. Prandaj bëra këtë hap, te një klub pak më i vogël, për të luajtur dhe për të qenë gati për Kombëtaren”.

Gjasula, megjithatë, nuk dëshiron të dëgjojë për repart problematik, një konstatim që ka marrë zë në ndeshjet e fundit të kuqezinjve, pavarësisht se kundërshtarët kanë qenë të të gjithë prestigjit: “Ne kemi edhe mesfushorë të mirë. Unë besoj, se secili prej tyre ka cilësitë e veta. Si ekip, nuk kam dëgjuar që në mesfushë, mbrojtje apo sulm jemi dobët. Ne kemi bërë paraqitje të mira dhe aty do të provojmë të vazhdojmë. Ndeshja nuk fitohet apo humbet në sulm, mesfushë apo mbrojtje. Jemi të gjithë si ekip për atë punë aty, që të forcohemi bashkë dhe do të provojmë më të mirën dhe do të japim maksimumin” sqaroi mesfushori.

Një pjesë e lojtarëve polakë luajnë në kampionatin gjerman, por kjo lloj ‘njohje’ nuk e entuziazmon Gjasulën, jo të paktën për të ndikuar në rezultat: “Këtë nuk e di. Po ta fitojmë ndeshjen, është një plus për ne. Po ta humbim ndeshjen, nuk është mirë për ne. Prandaj, do të japim maksimumin, do ta kemi mendjen tek ne dhe jo te kundërshtari, që secili të ketë një formë të mirë dhe pastaj do të shohim si do të dalë”.

Në fund, edhe një konstatim për rikthimin e tifozëve në stadium për dy ndeshjet e radhës në shtëpi: “Çdo futbollist gëzohet shumë dhe është i lumtur se do të vijnë tifozët në stadium sepse kështu e kemi mësuar futbollin, që të vegjël. Futbolli pa tifozë nuk është njësoj, mungojnë emocionet dhe besoj edhe për ne është shumë e rëndësishme të vijnë tifozët. Tani kemi njëherë ndeshjen me Poloninë, është e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mirë dhe për ato dy ndeshje do të shohim. Është e rëndësishme ta lëmë grupin hapur për ndeshjet në fund, që të kemi mundësi për t’i arritur të gjitha”, përfundoi Gjasula.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *