• |
ide | kryesore

Video/ Hakmarrje e servirur: Kukësi harron Tiranën dhe mposht Egnatian, që e eleminoi nga Kupa

-Instant, Sport, Video



Hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë thonë dhe Kukësi priti ditën që do të udhëtonte përsëri drejt Rrogozhinës, për të mposhtur Egnatian që e kishte eleminuar nga Kupa e Shqipërisë, duke i hequr një prej objektivëve sezonalë shumë para kohe. Skuadra e Longos harron kështu pokerin e pësuar nga Tirana dhe shkon të fitojë 0-2 në stadiumin “Arena Egnatia në Rrogozhinë, duke mbajtur hapin e kryesuesve.

Me Shkurtaj nga minuta e parë, pjesa e parë nisi rrezikshëm në krahun e kundërt. Pedro Augusto nuk vonoi të shfaqet në skenë, duke tentuar të marrë përsipër të tijtë, që Ramadani i kishte rreshtuar në kundërsulm. Tafas grushtoi goditjen e sulmuesit, duke mbajtur të qetë Kukësin. Tridhëmbëshi i italianit nisi të funksionojë dhe avantazhi erdhi në një përpunim të Shkurtajt, e dy vëllezërve Taipi që asistuan njëri-tjetrin me Shqiprimin që finalizoi në qendër të zonës në minutën e 31.

E njëjta panoramë edhe në pjesën e dytë, me rrogozhinasit që tentuan të përgjigjen ndaj disavantazhit dhe sërish e bënë me Pedro Auguston, që humbi edhe njëherë duelin me Angelo Tafas. Kukësi nuk e uli përqednrimin dhe në minutën e 55’ vulosi fitoren me golin e dytë. Edison Ndreca përfitoi pas një gabimi të mbrojtjes rrogozhinase, duke shfrytëzuar asistin e Emiljano Mustës për të mposhtur portierin Bruno Puja.

Me përjashtim të një mundësie tjetër për Pedro Auguston, asgjë për tu shënuar dhe Kukësi e administroi ndeshjen, duke shkuar drejt një fitore të rëndësishme, që e mban në vendin e tretë me 34 pikë, ndërsa Egnatia mbetet e parafundit me 16 pikë, në shoqërinë e Skënderbeut, tre larg zonës së shpëtimit e një pikë mbi Kastriotin, që mbyll renditjen.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *