• |
ide | kryesore

PSG, tifozët nisin luftën, njoftohet kontestimi i skuadrës: “Al-Khelaifi nuk është personi i duhur”

-Instant, Sport


PSG është një fuçi e vërtetë baruti pas eleminimit nga Champions League dhe tifozët janë gjithashtu gati për luftë. Me një deklaratë të ashpër kundër presidentit Nasser Al-Khelaifi, Collectif Ultras Paris njoftoi një kontestim të ashpër në ndeshjen kundër Bordeaux. “Situata e klubit tani kërkon një riorganizim të plotë në të gjitha nivelet dhe praninë e përditshme të presidentit të tij – thuhet në deklaratë – Ne nuk kemi kujtesë të shkurtër. Ne e dimë se çfarë i detyrohemi për rilindjen tonë presidentit Nasser Al-Khelaifi, këtu nuk ka asgjë personale, por është e qartë se ai nuk është njeriu i duhur për të përballuar këtë situatë. Paris Saint-Germaini ynë meriton njerëz që i shërbejnë dhe jo njerëz që e përdorin atë. Të dielën kundër Bordeaux do të tregojmë pakënaqësinë tonë dhe do t’i kërkojmë të gjithë dashamirëve të klubit të pranishëm që të bashkohen në aksionet tona pa dhunë”.

Në konferencën për shtyp, trajneri Mauricio Pochettino nuk e fshehu zhgënjimin e madh për shembjen ndaj Real Madrid. “Jam i zhgënjyer. Jo vetëm ne, por i gjithë klubi. Zhgënjimi është shumë i madh – shpjegoi argjentinasi -. Ishin ditë shumë të vështira. Është normale që nuk kemi energjinë më të mirë. Por përgjegjësia është e madhe: ajo për të mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. E dimë se duhet të fitojmë Ligue 1. Si ndihem? Jo mirë. Ndihem keq. Sepse, në analizë të ndeshjes, si në ndeshjen e parë ashtu edhe në 60 minuta në Madrid, ekipi ishte superior. Por është mënyra se si na iku kualifikimi ajo që të dhemb. Kam zemërim. Është një sëmundje që e bën të vështirë gjumin gjatë natës, por përgjegjësia është të vazhdojmë përpara. Por kjo nuk do të thotë që nuk ndihem i fortë. Ndihem i fortë për të përballuar sfidat e radhës”.

Trajneri argjentinas është rikthyer për të folur për Donnarumman, i akuzuar nga të gjithë si ai që i hapi rrugën kthesës së ndeshjes. “Pasi e kam shqyrtuar nga të gjitha këndvështrimet, nuk e kuptoj se si Var nuk sinjalizoi faull ndaj Donnarummas. Ky nuk është justifikim, por ka pasur një ndikim të madh emocional. Ndonjëherë këto gjëra janë të vështira për t’u shpjeguar. Përgjegjësia jonë është se nuk ishim në gjendje t’i menaxhonin këto momente. Kjo është mea culpa jonë: një ekip që dëshironte të fitonte Champions League duhet të reagonte ndryshe”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *