• |
ide | kryesore

Avokatët në protestë kundër hartës së re gjyqësore

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit


Dhoma e Avokatisë njoftoi të hënën se do të bojkotonte për 4 ditë proceset gjyqësore, përveç masave të sigurisë, në shenjë proteste kundër projektit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore që shkrin 5 nga gjykatat e apelit në vend, një sërë gjykatash të shkallëve të para dhe disa nga gjykatat administrative.

“Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjatë procesit të diskutimit te draftit në shkallë vend,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maks Haxhia.

Avokatët në disa rrethe kundërshtuan ashpër reformën, që sipas tyre krijon probleme të aksesit të qytetarëve te drejtësia. Kundërshtimi kryesor ka të bëjë me krijimin e një Gjykate të Përgjithshme të Apelit në Tiranë dhe shkrirjen e gjykatave të apelit në rrethe. Kjo sipas avokatëve krijon pamundësi për qytetarët nga rrethe të largëta të jenë të pranishëm apo ndjekin proceset.

I pyetur nga BIRN, Këshilli i Lartë Gjyqësor përmes anëtares së caktuar për Marrëdhëniet me Mediat, Marçela Shehu, tha se për momentin nuk kishte qëndrim në lidhje me bojkotin dhe problemet që mund të krijoheshin prej tij. “Nuk ka qëndrim paraprak,” tha Shehu, e cila shtoi se KLGJ do të mblidhej dhe do të diskutonte për situatën në vijim.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, e cila ka qenë pjesë e diskutimeve për hartën e re, e mbrojti atë dhe u kërkoi avokatëve të bëheshin pjesë e zbatimit të saj. “Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore, pasi ajo të miratohet në qeveri dhe të hyjë në fuqi,” tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një qëndrim për mediat.

Manja këmbënguli se avokatët ishin pyetur në procesin e konsultimit dhe tha se një pjesë e qëndrimeve të tyre ishin marrë parasysh, por se harta ishte punë e KLGJ-së.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë e sulmoi procesin e konsultimit si formal dhe të paragjykuar. Ndërsa tha se prej tij nuk ishte marrë në konsideratë asnjë mendim i grupeve të interesit “përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë”.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë i kërkon qeverisë që të merrte parasysh kërkesat e tyre dhe se bojkoti 4-ditor ishte një hap i parë në këtë proces.

Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë. Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun. Debati për hartën filloi që pas disa takime konsultative, në të cilat ajo u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia. Harta e re iu dërgua ministrisë së Drejtësisë me 10 qershor nga KLGJ./ BIRN


4 Comments

  1. Partia socialiste ka ditelindjen. Partia e shqiptareve. E progresit, e drites. Lindi ne lufte, e kerkoi historia, shperndau dinjitet, arsim, rend, siguri. Kuptoi ndryshimin, iu beri qefin driteshkurteve per te lejuar particka te tjera, sa per te na care karin po hajt me mire. I tregoi botes qe dhe ne liri dhe pluralizem mbetet e vetmja parti e shqiperise.

    1. Po çi duhet shqiptarëve drejtësia, këto punë i di rama.

      Rama vs enver hoxha , cili ishte më i drejtë vallë??

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *