• |
ide | kryesore

Escobar: Duam përkushtimin e Kosovës dhe Serbisë se nuk do ketë dhunë në 1 shtator

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Escobar


I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shpreson që Kosova dhe Serbia deri më 1 shtator të gjejnë një zgjidhje për mospajtimet rreth përdorimit të dokumenteve personale dhe targave të makinave, që çuan në tensione në fillim të këtij muaji, ndërsa bëri thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd në përfundim të vizitës në Kosovë dhe Serbi së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, duke theksuar se të dyja palët duhet të jenë të përkushtuara që të përmbahen nga dhuna dhe të kërkojnë rrugë konstruktive përpara.

Zoti Escobar nguli këmbë se palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e deritashme me theks të veçantë në marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pres që deri në fund të muajit, mbështetur në angazhimet e të dyja palëve dhe në punën e palodhshme të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara në mënyrë paqësore. Përtej kësaj, dialogu është ende duke vazhduar për të kërkuar opsione në pamje më të gjerë. Por, për të arritur atje, një nga pjesët më të rëndësishme të planit tonë, shpresës dhe aspiratës sonë është që të gjithë elementët e mëparshëm të dakorduar të dialogut dhe marrëveshjes të zbatohen, duke përfshirë edhe asociacionin e komunave serbe.

Ky ishte një mesazh që ia transmetuam qeverisë së Kosovës dy ditë më parë, është një mesazh që Sekretari i Shtetit ua transmetoi presidentes (së Kosovës, Vjosa) Osmani dhe kryeministrit (Albin) Kurti gjatë vizitës së tyre në Uashington kohët e fundit. Dhe kjo është ajo për të cilën ne do të vazhdojmë të këmbëngulim. Do të vazhdojmë të këmbëngulim që palët të përdorin dialogun si mekanizmin kryesor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, tha ai.

Zoti Escobar nënvizoi se qeveria e Kosovës ka thënë se ka disa kufizime kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. “Por qëndrimi ynë është se ata duhet të bëjnë një propozim. Nëse nuk u pëlqen propozimi serb, atëherë duhet ta bëjnë vetë propozimin”.

Zoti Escobar dhe zoti Lajçak, kanë vazhduar gjatë natës diskutimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas vizitës në Kosovë ku takuan udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike për të diskutuar rrugën përpara pas tensioneve në fundit ne veriun e Kosovës.

Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët kryesore për të penguar zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel me 18 gusht dështuan të sigurojnë një zgjidhje.

“Ne do të vazhdojmë t’u bëjmë trysni të gjitha palëve për të ruajtur paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon dhe për të zbatuar të gjitha marrëveshjet që ata kanë nënshkruar tashmë. Dhe siç thashë, këto janë marrëveshje tashmë të nënshkruara. Pra, tani është çështja te zbatimi i tyre”, tha zoti Escobar.

Mëngjesin e së premtes zoti Lajçak shfaqi shpresën se gjërat janë “në rrugën e duhur”, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, shfaqi besimin se në ditët në vijim do të mund të arrihet një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi sic tha aiu, është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha”.

Zoti Escobar tha të premten se bisedimet janë mekanizmi nëpërmjet të cilit Serbia dhe Kosova do të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve dhe do të hap ardhmërinë e tyre evropiane.

Aspiratat për integrim në bllokun evropian të të dyja vendeve varen nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Serbia e mbështetur nga Moska kundërshton pavarësinë e Kosovës, që u shpall më 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore. /VOA


2 Comments

  1. Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, vetem ne rast se serbet Beogradi lejon asociacionin e komunave me shumicë siqipetare në Serbi. Ndryshe Ju zoti Pablo dhe shteti juaj ia keni varur mëlçitë në qafë ujkut.

  2. Edhe pse ka me shume shqiptare neper Serbi sesa serbe ne Kosove, per te paret si BE, ashtu edhe SHBA mbyllin syte, kurse te dytet, serbet e Kosoves, te ardhur gjate 1 shekulli te eksperimentit “Jugosllavi”, i cili deshtoi e nuk mbyllet ne 30 vjet, i trajtojne si “te derguarit e Zotit”.

    Ndaj edhe ne viziten e fundit, kur eshte koha e vendimeve te qarta e afatgjata, Escobar e Lajcak vune shenjen e barazimit mes serbeve dhe shqiptareve ne Kosove.

    Kerkesa e Kurtit per zbatim mzrreveshjesh, duke filluar nga 1 shtatori mori prej emisareve te larte te Perendimit urdherin se “nuk duhet te kete dhune nga shqiptaret” .

    Sa e padrejte aq edhe qesharake!
    Serbet jane dhunuesit shekullor te shqiptareve dhe fqinjeve te tjere ne luften per shperberjen e Jugosllavise dhe sot qenkan bere dele!

    Kush i dhunon, sulmon e kercenon serbet ne Ballkan?!

    Qendrimi i Perendimit ndaj Beogradit e Vucicit, uroj te mos kete fundin si ai ndaj Putinit per vite me radhe, aleatit te vertete te Beogradit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *