• |
ide | kryesore

15 modele për Asociacionin, Kurti: Ministrat dhe këshilltarët po shqyrtojnë propozimet e Lajçak

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat janë duke trajtuar 15 modelet për Asociacionin që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ia ka ofruar atij.

Kurti tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian, do të shohin të marrin elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur.
Por nënvizoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.

“Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë…

Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”, tha ai.

Kryeministri bëri të ditur se para takimit të së shtunës me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut, do të dihet agjenda dhe pikat përmbajtjesore që do të diskutohen.

“Para të shtunës ne do ta dimë agjendën dhe pikat përmbajtjesore se çka do të diskutohet atje. Në kuadër të diskutimit të planit të zbatimit për marrëveshjen tashmë të dakorduar sipas propozimit evropian, pa u ndryshuar asgjë”, tha ai.

Këto komente Kurti i bëri pas vendosjes së një gurthemeli të një shkolle në Kamenicë.

Aty, kryeministri u pyet edhe për postimin e djeshëm për ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiç, ku tha se nuk është hera e parë që e bën një gjë të tillë.

“Nuk është hera e parë që postoj për Zoran Gjingjiç”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *