• |
ide | kryesore

Investimi i sektorit bankar në Euorondet e qeverisë shqiptare, në rritje edhe këtë vit

Lajme, Të fundit



Sektori bankar ka vazhduar të zgjerojë investimet në Eurobondet e qeverisë shqiptare në gjysmën e parë të këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se letrat me vlerë në valutë të huaj të qeverisë shqiptare në bilancin e sektorit bankar arritën vlerën e 82.7 miliardë lekëve në fund të qershorit.

Krahasuar me një vit më parë, vlera e këtyre aseteve është rritur me 6%. Duke qenë se statistikat raportohen në Lekë, natyrisht që vlerat e këtij viti janë të ndikuara ndjeshëm nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valuator. Në mungesë të këtij mbiçmimi, rritja e vlerës së Eurobondeve në bilance do të kishte qenë më e madhe.

Eurobondi i fundit i qeverisë shqiptare u emetua pikërisht në muajin qershor të këtij viti, megjithatë vlerësohet se pjesëmarrja e bankave ka qenë më e ulët krahasuar me emetimet e mëparshme.

Në vitet e fundit, investimi në këto instrumente ishte favorizuar edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë, që e kishin njohur investimin në dy emetimet e fundit të Eurobondeve me koeficient rreziku zero, për efekt të llogaritjes së raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Rrjedhimisht, investimi në Eurobonde nuk ka pasur kosto kapitali për bankat, duke e bërë atë edhe më tërheqës. Ndërkohë, për emetimin e këtij viti, këto lehtësi u shfuqizuan dhe bankave u kërkohej një mbulim me kapital në masën 100% për vlerën e Eurobondeve.

Për këtë arsye, shumat e blera ishin më të ulëta. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e Eurobondeve në bilance gjatë muajit qershor u shtua me 2.8 miliardë lekë ose rreth 26 milionë eurove, shumë kjo ndjeshëm më e ulët krahasuar me emetimet e mëparshme.

Sidoqoftë, bankat kanë vazhduar blerjet e emetimeve të mëparshme të Eurobondeve në tregun dytësor.

Instrumentet e borxhit qeveritar në valutë në mesin e këtij viti përbënin afërsisht 4.4% të aktiveve totale të sektorit, nga 4.25% që ishte pesha e tyre specifike një vit më parë.

Ndërkohë, duke përfshirë edhe letrat e borxhit në Lekë, ekspozimi total i sektorit bankar ndaj qeverisë shqiptare ka arritur në 27.7% të vlerë totale të aktiveve, nga 26.2% një vit më parë.

Instrumentet e borxhit në valutë të qeverisë shqiptare kanë tërhequr një interes në rritje të sektorit bankar shqiptar në vitet e fundit, për disa arsye.

Investimi në këto instrumente ka ofruar kthime të kënaqshme, përgjatë një periudhë kur normat e interesit për monedhën Euro kanë qenë shumë të ulëta. Rritja e lartë e depozitave në valutë gjatë viteve të fundit ka krijuar sasi të konsiderueshme likuiditetesh të lira për bankat.

Nga ana tjetër, kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë tenton ta bëjë më të kushtueshëm kreditimin në valutë të huaj për subjektet me të ardhura në lekë, çka i kufizon hapësirat e rritjes së kredisë në Euro për sektorin privat shqiptar.

Eurobondet kanë shërbyer edhe si një instrument për thithjen e likuiditeteve të lira të sektorit bankar në vend./MONITOR


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *