• |
ide | kryesore

Më shumë se një javë nga sulmi në veri, policia vazhdon hetimet në Banjskë

Lajme, Të fundit


Policia e Kosovës është ende duke kryer hetime në zonën malore të Banjskës, ku më 24 shtator janë sulmuar pjesëtarë të këtij institucioni. Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në operacionin e së martës, Policia, përfshirë njësitin special, është në kërkim të armëve.

Megjithatë, ai ka njoftuar se kontrollet e shtëpive në atë zonë nuk janë pjesë e operacionit.

“Sapo i kemi tërhequr njësitet speciale nga Banjska, do të thotë niveli i rrezikut ulet, por na duheshin më shumë njerëz. Nuk është e pazakontë. Po mundohemi ta çojmë aksionin deri në fund, por varet nëse do të gjendet diçka”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator. Në mesin e pajisjeve të gjetura janë përmendur: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë anti-plumb.

FotogaleriNga fishekët deri tek autoblindat – Policia shfaq armatimin që gjeti në veri
Pas sulmit të 24 shtatorit, zyrtarët policorë kanë ekspozuar edhe granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë, të cilat i kanë gjetur në operacionet e kërkimit në këtë fshat në veri të Kosovës.

Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai gjendet në “Serbinë qendrore” dhe autoritetet atje e kanë marrë në pyetje “në cilësinë e qytetarit”.

Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo autoritetet në Beograd e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.

Sulmi ndaj Policisë në Banjskë është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e sulmuesve me drejtësinë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *