• |
ide | kryesore

Masakra e Kuçovës/ I dënuari me burgim të përjetshëm kërkon rigjykim, shtyhet seanca

Lajme, Të fundit


Një i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Kuçovës në vitin 1997, ka kërkuar rigjykim pas arrestimit dhe rikthimit të tij në vendin tonë.

26 vjet pas ngjarjes, kur janë dhënë disa burgime të përjetshme, Fran Marashi rikthehet për rigjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ankimin ai e bëri disa vite më parë në Gjykatën e Tiranës teksa kjo e fundit ia kaloi për kompetencë Gjykatës së Lartë e cila ka vendosur ta rikthejë për gjykim në Shkallën e Parë të GJKKO-së.

Këtë të martë Marashi mbërriti nga burgu i sigurisë së lartë ku mbahet në Peqin. Seanca u shty duke u lënë kohë në dispozicion që të njoftoheshin lidhur me rihapjen e procesit familjarët e viktimave. Marashi ka pretenduar se është dënuar padrejtësisht dhe se në kohët kur gjykata ka dhënë vendimin, nuk ka pasur dijeni se ndaj tij zhvillohej një proces hetimor. Marashi do të deklaronte se dënimin dhe akuzat i kishte mësuar pasi ishte ekstraduar në Shqipëri teksa i ka mohuar ato.

Ai është ekstraduar nga Italia në vitin 2007, ndërsa dy vite më vonë, tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore, veprim për të cilin do të deklaronte se e bëri për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej. Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur më datë 17 qershor 1997, ku mbetën të vrarë 5 persona dhe u plagosën 6 të tjerë, të gjithë punonjës policie.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *