• |
ide | kryesore

Vuçiç: Është gënjeshtër se unë do ta nënshkruaj njohjen e Kosovës

Arkiva, Lajme, Të fundit
Vuçiç


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka hedhur poshtë si “gënjeshtër” pretendimet se ai është i gatshëm ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk do ta nënshkruaj kurrë pavarësinë e Kosovës, ndërsa i përgëzoj të gjithë ata në skenën politike të Serbisë që thonë gënjeshtra të tilla”, tha Vuçiçi në një video-mesazh në profilin e vet në Instagram të enjten.

Ai nguli këmbë se “gjithmonë do t’i përmbahet Kushtetutës” së Serbisë, në një reagim ndaj akuzave të disa partive opozitare.

Partitë e krahut të djathtë në Serbi e kundërshtojnë Marrëveshjen e Ohrit e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në fillim të këtij viti. Ata, gjithashtu, kanë kërkuar vazhdimisht ndërprerjen e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve që Serbia dhe Kosova i po zhvillojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) që nga viti 2011.

Marrëveshja e Ohrit u arrit në mars në Maqedoninë e Veriut nga presidenti serb Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësimin e BE-së.

Ajo është një aneksin për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilin u arrit marrëveshje paraprakisht në shkurt në Bruksel.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Beograd më 31 tetor, ku u takua me presidentin Vuçiç, deklaroi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është de facto njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Leyen shpjegoi se Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë, për shembull, njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia.

Ajo tha se kjo, në anën tjetër, shkon edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën Kosova duhet ta themelojë.

“Kjo do t’i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane”, tha ajo.

Në atë kohë, Vuçiç në një konferencë të përbashkët për media tha se për Serbinë nuk është në pyetje njohja e Kosovës, megjithëse Serbia “është e gatshme t’i përmbushë obligimet” e saj nga dialogu.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një parakusht kyç që të dy vendet duhet ta përmbushin për t’u bërë anëtarë të BE-së./ Evropa e Lirë


1 Comment

  1. Pastaj në fund të 30 minutëshit, dikush i kujton se duhet t’i çojë dhëndrit supë në burg, dhe se ajo vajza e pret të hënën në SPAK. Këtu Berisha harron që e ka përmbysur pushtetin dhe ulërin se do futet në grevë urie.

    Kjo është zgjidhje e mirë, se nuk ka nevojë që familja të çojë supë dhe në burg, dhe në grevë. Mbas zgjedhjeve do e pranosh o vucic

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *