• |
ide | kryesore

Analiza e REL: A e ka Asociacioni çelësin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës?

Lajme, Të fundit


Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën – duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj. Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të martën se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Themelimi i Asociacionit ka qenë vazhdimisht kërkesë edhe e vendeve të tjera të grupit QUINT, që, pos Francës e Gjermanisë, përfshijnë edhe SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë. Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës nëse planifikon ta dërgojë draft-statutin në Kushtetuese përpara datës 16 maj, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Më 17 prill, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se themelimi i Asociacionit nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në KiE, por shtoi se ai është pjesë e listës së zotimeve në kuadër të raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyyanis, të cilat Kosova i ka marrë përsipër që t’i zbatojë pas anëtarësimit në KiE. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 23 prill, se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike dhe diplomatike në Kosovë pajtohen se vendi duhet të bëjë “hapa pozitivë” për të mos rrezikuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, thotë se kërkesa ose sugjerimi i partnerëve perëndimorë është i qartë: Qeveria e Kosovës duhet ta dekretojë draft-statutin për Asociacionin dhe ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Në rast se dërgohet [në Gjykatën Kushtetuese], atëherë, faktikisht, mund të thuhet se është debllokuar procesi i themelimit të Asociacionit… Deri më tash, ky proces është bllokuar nga perspektiva e vendimmarrjes politike”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, praktika e deritashme ka treguar se ministrat e Jashtëm në Këshillin e Evropës, përgjithësisht, i mbështesin vendimet e Asamblesë Parlamentare. Por, në rastin e Kosovës, thotë ai, marrë parasysh pritjet që i kanë disa vende lidhur me themelimin e Asociacionit, votimi më 16 maj mund të mos jetë fare në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Që të mos duket se po votojnë kundër vendimit të Asamblesë Parlamentare, rrezikohet që të mos futet fare në rend dite, si një e formë e refuzimit jo të drejtpërdrejtë”, thotë Kamberi.

Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin IESEG në Paris, thotë se çdo hap që mund ta bëjë Qeveria e Kosovës në drejtim të themelimit të Asociacionit, duhet ta bashkërendojë me kërkesat e partnerëve kryesorë, nga të cilët pret përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Nëse këto janë pritje nga ata që do të votojnë – dhe Qeveria e di më së miri se cilat janë pritjet – atëherë duhet vendosur në bazë të drejtpeshimit ndërmjet pritjeve dhe gjasave për sukses në votim”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, hap tjetër që mund të bëjë Kosova para takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, më 16 maj, është: dërgimi i garancive të qarta te vendet përkatëse se do të zbatohen të drejtat e komuniteteve joshumicë, si dhe i sinjaleve të qarta se do të avancohet i gjithë korpusi ligjor që ndërlidhet me të drejtat e njeriut.

“Do të ishte e dhimbshme që Kosova ta humbiste anëtarësimin pas gjithë këtij rrugëtimi të suksesshëm deri sot”, thotë Murtezaj.

Në një intervistë dhënë REL-it, më 18 prill, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se këshillë e tij për Kosovën do të ishte “ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese” përpara votimit në maj. Organizata e Knausit publikoi së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022. Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë. I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Kjo, përkundër marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Marrë nga REL


2 Comments

  1. CILI DO QOFTE ANGAZHIMI NE PADREJTESI TE DREJTEN HAKUN E NJE POPULLI NUK MUND TA ZHDUKIN PERMBYSIN DHE AS ORJENTOJN thotë:

    PERPJEKJET NE PADREJTESI SI MENYRE VETJAKE NGA EGOJA BAZ INTERESIT ,E KUJDO QOFTE E NJE INDIVIDI NDAJ TJETRIT APO GRUPEVE NDER NJERZORE,KALIMI MASES E BERI QE MUNDESIT TE MOS JA PERMBUSHIN ME QELLIMIN NE ASNJE MENYR O NJEREZ SOT I KEMI MUNDESIT TE LARGOHENI NGA PADREJTESIJA,KTHENI HAKUN NJERI TJETRIT ,DHE BEHENI NDIHMES DHE PLOTESUES NE DOBITE KENI ZGJILLJE PAQE MIRKUPTIM SEJCILI DUKE E NDERTUAR ME MUND DJERES BRENDA HAKUT VET TE ARDHMEN E TIJE ,LARGOHUNI NGA PADREJTESIT SE PADREJTESIJA ESHTE FUNDOSJE SHKATERRIM ZHGENJIM NDESHKIM PER JU POS PRISNI TU VIJNE NJE GJENDJE QE ZOTI TJU MARRE CDO TE MIRE NGA DUART TJU MBESIN VETEM MENDJA PA MUNDESI TI ZGJILLNI PROBLEMET QE U VIN SI SHKAK I ZEMRIMIT DHE NDESHKIMIT HYJNOR , NESE MENDONI SE JENI KEQ NDJEHENI KEQ DHE VAZHDONI NE TE KEQE JU SIGUROJ QE KA DHE ME KEQ NE CDO KUPTIM PER JU ,DERI NE PERJETESI NESE MENDONI FLISNI DHE ANGAZHOHENI PER MIR ME HAK NDAJ GJITHCKAJE ZOTI MADHERISHEM KA GARANTUAR QE E MIRA DO JU NDJEK HAP PAS HAPI DERI NE PERJETESI ,ZGJELLJA ESHTE E JUAJA PASI SIPAS ZGJELLJES DO TJU VIJNE EDHE HAKU PER JU NGA ZOTI MADHERISHEM KJO NUK NDRYSHON NUK SHDUKET POR VECSE PERJETOHET HAJDE I PAFSHI HAJRIN ASAJ CFAR I ESHTE PERCAKTUAR CDO ANGAZHIMI PASI ME MEND NE KOK DHE SY NE BALL PO E ZGJILLNI VET NUK PO JU DETYRON NJERI

  2. ore jemi mbushur me analiste, qe sdihet kush i paguan,
    filani nga ky institut

    fisteku nga tjetri

    keta japin mendime apo flasin ne emer te atyre qu u hedh rrogen ne fund te cdo muaji

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *