• |
ide | kryesore

Video/ Farsa e fundit e kampionatit: “teatër” në Shkodër e Skënderbeu në Final 4

F1, Sport, Video
Skënderbeu


Ajo që të gjithë i trembeshin në Superiore, aktorët në fushë e tifozët në tribuna, ndodhi. Java e fundit e kampionatit, që për numrin e skuadrave që kërkonin një vend të katërt ende në lojë, duhet të mbante në ankth 4 nga 5 ndeshjet e javës u kthye në një farsë. E kjo jo vetëm sepse Vllaznia vendosi të futej në fushë me “fëmijë” duke dorëzuar vendin e katërt te Skënderbeu, sepse edhe në fusha të tjera do të ndodhnin “anomali” neglizhente si ajo në Rrogozhinë, që do të kishte favorizuar Tiranën.

TEATËR NË SHKODËR

Sezoni i rregullt është mbyllur tashmë pas përfundimit të javës së 36 të kampionatit. Skënderbeu është ekipi i katërt që u përfshi në finalet e “Final Four”. Korçarët fituan 5-1 ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, duke mos vënë në diskutim për asnjë moment fitoren. Nuk mund të ndodhte ndryshe në Loro Borici, kur Vllaznia u prezantua me lojtarë që më parë nuk kishin grumbulluar asnjë minutë në Superiore e ndonjë tjetër si Pusi apo Dodaj që ndonjë shfaqje e kishin bërë.

Lexo më tejNë fillim Finalja e Kupës së Shqipërisë, pastaj garat e Final 4: akti i fundit në 14 maj në Tiranë

Përse Vllaznia do ta bënte një zgjedhje të tillë, pa menduar se mund të parakalonte Partizanin në vendin e dytë? E para sepse askush nuk besonte më se një skuadër e rrëzuar si Erzeni mund të ndalonte të kuqtë e Shehit në kërkim të pozicionit komod në Final 4 (edhe me barazim kalon në finale). Sa për konfirmim, Partizani triumfoi me poker ndaj shijakasve. Arsyeja më e fortë është natyrisht siguria se Vllaznia, e jo vetëm ajo, tani e kanë Europën të siguruar çfarëdo të ndodhë në Final Four, sepse Skënderbeu është i dënuar dhe do të hapë vendin.

NEGLIZHENCË RROGOZHINASE

Teatër nuk u luajt vetëm në Shkodër, sepse nëse Vllaznia do ti prishte ‘planet’ vetes, duke luajtur “pastër”, favorin do ta merrte Tirana. Në ditën që Egnatia mbyllte kampionatin në vend të parë, përpara publikut të shtëpisë, rrogozhinasit neglizhuan krejtësisht ndeshjen, qëllimisht apo euforikisht kjo pak rëndësi ka, duke lejuar një goleadë tjetër të Tiranës në shtëpinë e tyre pas asaj të fazës së dytë. Tirana e Fagut që u eliminua në Kupë nga Kukësi i vendit të fundit, u kujtua të fitonte 3-0 ndaj Egnatias. Sidoqoftë një fitore që e mban vetëm në vend të pestë.

TË TJERËT LUAJTËN KOT

E gjitha kjo, me rezultatet të kopsitura që herët, e bëri ndeshjen në Niko Dovana të kotë. Kështu, nëse fitonte Teuta, Dinamo apo e ndanin barazimin, nuk bënte asnjë diferencë. Ndoshta për këtë goli i Realdo Filit në minutën e 91′ pothuaj nuk i gëzoi ata pak tifozë që kishin shkuar në stadium, pavarësisht dyerve të hapura për këtë ndeshje. Në fund, pa asnjë llogari përvec asaj për të ruajtur lojtarët nga dëmtimet, Laçi triumfoi ndaj Kukësit me shifrat 2-0.

REZULTATET, JAVA E XXXVI

TEUTA – DINAMO 1 – 0
Fili 91′
LAÇI – KUKËSI 2 – 0
Saboëale 22′, Bajramaj 67′
PARTIZANI – ERZENI 4 – 0
Mba 10′, 45′, Skuka 21′, Mehmeti 43′
VLLAZNIA – SKËNDERBEU 1 – 5
Halili 11/ Liço 4′, Rashica 16′, Nikaj 60′, Djantou 63′, Merlin 76′
EGNATIA – TIRANA 0 – 3
Patrick 12′, 14′, Abazaj 47′

VERDIKTET E SEZONIT

Në vendin e parë u rendit Egnatia, me 63 pikë, aq sa Partizani. Vllaznia e Skënderbeu plotësojnë vazon e dytë në shortin e Final 4 që do të hidhet të hënën për të synuar titullin kampion. Laçi do të luajë në Playout me një skuadër që do të prezantohet fituese e playoff në Kategorinë e Parë. Erzeni e Kukësi bien automatikisht nga kategoria.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *