• |
ide | kryesore

Del SONDAZHI/ Çfarë mendojnë shqiptarët për SPAK-un

Arkiva, Lajme, Të fundit
spak


Në matjet e fundit të Barometrit në Euronews Albania në periudhën 4-14 Maj 2024 institucionet shqiptare në mënyrë të përsëritur janë testuar për besueshmërinë që kanë tek qytetarët. Duke marrë parasysh dinamikat në gjithë sistemin politik shqiptar aktualisht, fokus i veçantë i Barometrit ka qenë SPAK. Në një shkallë nga 0-10 qytetarët janë ftuar të tregojnë nëse kanë besim ose jo për një grup institucionesh kryesore të cilat kanë përgjegjësi dhe diktojnë realitetin në vend.

Në një listë prej 15 institucionesh në Shqipëri (përfshi dhe përfaqësi ndërkombëtare) Ambasada USA e Delegacioni i Komisionit të BE, OSBE, SPAK, institucioni i presidentit, qeveria, policia, pushteti lokal, përfaqësuesit fetarë, media, shoqëria civile, gjyqësori, opozita, parlamenti dhe partitë politike, SPAK vazhdon të jetë i pari nga institucionet shqiptare me nivelin më të lartë të besueshmërisë krahasuar me gjithë institucionet e tjera shqiptare.

Nga 1000 të intervistuar ballë për ballë nga Barometri, 32 % e tyre kanë shprehur besim tek SPAK duke e renditur atë si institucionin më të besueshëm ndër institucionet shqiptare. Të renditur në krye të listës ashtu si dhe në matjet e mëparshme vazhdojnë të mbeten përfaqësi ndërkombëtare të cilat kryesohen nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë me 40.5% besim nga qytetarët shqiptar dhe më pas nga Delegacioni i Komisionit të BE-së me 35.8% besim.

Kjo është matje e përsëritur e Barometrit për të njëjtën temë, me të njëjtat pyetje dhe me të njëjtën shkallë matëse prej Nëntorit të vitit 2022 deri më sot. Në katër matje të ndryshme, Nëntor 2022, Nëntor 2023, Shkurt 2024, dhe sot, SPAK mbetet për vitin 2024 institucioni shqiptar më i besueshëm në vend. Në Nëntor 2022 besueshmëria ndaj SPAK ishte (14.2%), në Nëntor 2023 ishte (26.16%), në Shkurt 2024 (33.6%) dhe Maj 2024 (32%).

Për të kuptuar marrëdhënien e politikës dhe SPAK, qytetarët janë pyetur për mbështetjen që mazhoranca dhe opozita ka për punën e SPAK. Pyetjes nëse “Qeveria mbështet SPAK në punën e tij?” (58.9%) e të intervistuarve i janë përgjigjur pozitivisht. Ndërkohë që (31.7%) e tyre i janë përgjigjur negativisht dhe 9.4% i janë përgjigjur nuk e di. Lidhur me pyetjen mbi opozitën, “Opozita mbështet SPAK në punën e tij?” (26.5%) e të intervistuarve i janë përgjigur pozitivisht. Ndërkohë që (60.8%) e tyre i është përgjigjur negativisht dhe 12.8% i janë përgjigjur nuk e di.

Të dyja këto pyetje janë realizuar dhe tre muaj më parë nga Barometri-Euronews Albania ku duket se perceptimi për mbështetjen nga qeveria për punën e SPAK ka një rënie prej 8.3%, ndërkohë që perceptimi i kundërt sipas të cilit qeveria nuk e mbështet punën e SPAK ka një rritje prej 5.1%. Perceptimi në tre muaj për mbështetjen e opozitës për punën e SPAK ka një rritje prej 2.2%, ndërkohë që opinion i kundërt sipas të cilit opozita nuk e mbështet punën e SPAK ka një rënie prej 5.4%.

Barometri Euronews Albania i ka pyetur qytetarët edhe lidhur me dakordësinë e tyre për pyetjen “A ka në dorë qeveria të pengojë punën e SPAK?”. Pjesa më e madhe e qytetarëve, (44.9%) e tyre janë përgjigjur në mënyrë konfirmuese se qeveria ka në dorë të pengojë punën e SPAK, ndërkohë (40.5%) e qytetarëve nuk mendojnë se qeveria mund të pengojë SPAK dhe 14.6% shprehen nuk e di.

Megjithatë shumica e shqiptarëve në matjet e fundit të “Barometrit” në Euronews Albania kanë vlerësuar pozitivisht punën e SPAK. Të pyetur “Si e vlerësoni punën e SPAK deri më sot?”, 1000 personat e intervistuar janë përgjigjur në masën 54 % se e vlerësojnë pozitivisht punën e SPAK dhe vetëm 20.4 % kanë vlerësim negativ për të.

24.8 % e të pyeturve janë shprehur neutral në vlerësimin e tyre për punën e SPAK. Ky vlerësim në 3 matje të ndryshme të realizuara në 7 muaj nga “Barometri” me të njëjtën pyetje dhe me të njëjtën shkallë matëse, vazhdon të jetë në shumicë pozitiv. Në nëntor të vitit 2023 vlerësimi pozitiv për SPAK ka qenë në nivelin 50 %, në Shkurt të vitit 2024 vlerësimi pozitiv ka qënë 56,8 % dhe në Maj 2024 në nivelin 54% e të intervistuarve.


Për të kuptuar më shumë vlerësimin pozitiv për SPAK, Barometri – Euronews Albania ka analizuar të dhënat demografike dhe politike të qytetarëve që kanë mbështetje dhe vlerësim më pozitiv për SPAK. Kush janë qytetarët sipas gjinisë, moshës, arsimit, të ardhurave dhe pozicionit politik që kanë më shumë vlerësim pozitiv për punën e SPAK sot? Nga analiza e të dhënave rezulton se qytetarët sipas demografisë janë kryesisht homogjenë në vlerësimin pozitiv.

Pavarësisht homogjenitetit, ata/ato që e vlerësojnë më shumë pozitivisht punën e SPAK janë femrat (60.9 %), të rinjtë 18-24 vjeç (59,3 %) të intervistuarit me arsim të lartë (56,2 %) dhe me të ardhura më të larta (56,7 %) e tyre. Tek analiza e votës politike në vitin 2021, rezulton dhe hendeku më i madh i të intervistuarve në vlerësimin e tyre pozitiv për punën e SPAK. Qytetarët që kanë votuar PS në vitin 2021 kanë vlerësim pozitiv për SPAK (82.1%). Ndërkohë (26 %) e atyre që kanë votuar opozitën në vitin 2021 kanë vlerësim pozitiv për SPAK dhe 45,1% e atyre që nuk deklarojnë për kë kanë votuar në vitin 2021.


10 Comments

  1. Barometri i vlerësimit të mendimit publik për politikën , është i ndërvarur nga fuqia propogandistike e mediave.
    Është tashmë një fakt i provuar se veç medias shtetërore që mbështet hapur mazhorancën qeverisëse, në Shqipëri në mbështetje të qeverisë janë dy mediat vizive më të fuqishme private e këtyre po ju bashkohen edhe media të tjera, “të blera” nga qeveria.

  2. Ça euronjuz thoni ju ? Ketu nuk eshte as ai greku e as euronjuz , keto jane sondazhet e vete palloshit .
    Ky i nxiu jeten popullit e keta e votokan ? Ky vidhka e populli e dashka , ka bythe te rrije kjo ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *