• |
ide | kryesore

U përjashtua 15 vite nga sistemi i drejtësisë, KLP vendos sot për Alfred Ballën

Lajme, Të fundit


Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet sot për të përcaktuar nëse Alfred Balla mund të qëndrojë ose jo në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA që vendosi nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vite, bazuar në procesin e vetting.

Mësohet se mbledhja e KLP do të mbahet në orën 11:00, ku të pranishëm përveç anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pritet të jenë edhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare që monitorojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

“Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve të Këshillit, në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT. Media  është e ftuar të jetë e pranishme. Diskutimi i ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla”, thuhet në njoftimin e KLP.

KPA vendosi pak ditë më parë të nxjerrë nga sistemi i drejtësisë Alfred Ballën, ndonëse më parë përmes procedurave ai tentoi të mos kalonte Vetting, duke pretenduar se nuk gëzonte statusin e magjistratit në momentin që kishte nisur procesi ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndihmësve ligjorë, funksion që Balla e ka kryer në Gjykatën e Lartë. Kreu në detyrë i KLP-së ka reaguar ndaj vendimit të KPA, ndërsa paralajmëroi se do e çojë në Strasburg, pasi pretendon se largimi i tij nga sistemi i drejtësisë bie ndesh me Kushtetutën.


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *