• |
ide | kryesore

Napoli, 200 milionë motive për Conte: De Laurentiis premton një merkato super

Sport
Conte


Ai dëshiron të paguhet, dhe mirë madje. CV-ja e tij është e qartë, ambiciet dihen, mënyra e të punuarit është gjithmonë e njëjtë. Antonio Conte dëshiron të fitojë dhe ta bëjë atë menjëherë. Kështu, ndërsa intensifikohen kontaktet për të gjetur kuadrin e duhur për pagat dhe bashkëpunëtorët, De Laurentiis është gati të kënaqë trajnerin e tij të ri në merkato dhe të vërë në dispozicion një buxhet të jashtëzakonshëm. Rreth dyqind milionë euro, padyshim duke e marrë si të mirëqenë lamtumirën e Victor Osimhen dhe 120 milionët që Napoli kërkon për transferimin e tij. E me dyqind milionë euro edhe dikush si Conte mund të jetë i kënaqur.

KUSH LARGOHET?

Me pak fjalë, vera për të kaltrit do të jetë plot ngjarje. Ka shumë nyje për të zgjidhur dhe Manna do të ketë për cfarë të shqetësohet. Por te Napoli nuk ndihen në ankth dhe janë të vendosur të rinovojnë ndjeshëm një skuadër që sapo është kthyer nga një sezon i tmerrshëm. Për më tepër që është shtuar, në mënyrë të paparashikueshme, numri i lojtarëve të pakënaqur. Në vijën e parë, nuk është sekret, është Di Lorenzo. Kapiteni kërkon një ndryshim ambjenti dhe Juventus po e pret me krahë hapur. Në mesin e bardhezinjve, megjithatë, është një lojtar që i pëlqen shumë ish-teknikut të Tottenham: Federico Chiesa. Marrëveshja do të ishte e vështirë, por sigurisht edhe shumë magjepsëse. Në realitet, Napoli është i mbuluar nga krahët me Kvara në njërën anë dhe Ngonge dhe Politano nga ana tjetër. Megjithatë, Chiesa është Chiesa, i cilësuar si i një niveli më të lartë dhe me kufij ende të gjerë për përmirësim.

Lexo më tej: Napoli takohet me Conte: De Laurentiis nxiton, por mendon që tani momentin kur do ta shkarkojë

Do të flitet shumë edhe për lojtarët e tjerë. Në mbrojtje pista e Buongiorno është ftohur, sepse Cairo deri më tani nuk ka lëvizur nga kërkesa prej 40 milionësh dhe te Napoli e konsiderojnë shpenzimin shumë të lartë. Më tej, Di Lorenzo dhe Mario Rui duhet të zëvendësohen (në dalje edhe portugezi). Duhet risistemim i mesfushës ku përveç Lobotka askush nuk është i sigurt se do të qendrojë. Aq më tepër që protagonistët aktualë do të shqyrtohen detyrimisht nga Conte. Do të jetë një verë revolucioni, deri në çfarë mase mbetet për tu zbuluar.

PAGA DHE KONTRATA

Por Conte vjen para të gjithave. E kështu njerëzit e merkatos të Napolit do të takohen me menaxherët e tij në Ibiza për të tentuar mbylljen. De Laurentiis ka përmendur dhjetë ditë kohë, por vendimi përfundimtar me siguri do të vijë më shpejt. Paga, mes pjesës fikse dhe bonusit, do të jetë afër 10 milionë (60 milionë bruto në tre vjet, red.), bashkëpunëtorët e kërkuar nga trajneri do të jenë një tjetër thelb i çështjes. Megjithatë, rruga është e qartë dhe që marrëveshja të dështojë është vërtet e paimagjinueshme sot për sot.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *