• |
ide | kryesore

Blair: Ne i dhamë fund një makthi atëherë, mund të ndërtojmë një ëndërr tani

Arkiva
blair-300x172.jpg


Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka deklaruar se ndërhyrja e aleatëve të NATO-s në vitin 1999 ka qenë e nevojshme dhe se ekzistenca e shtetit të pavarur të Kosovës është dëshmi e kësaj, prandaj nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të vështira.

Blair ka kujtuar të rënët për liri, udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës, posaçërisht presidentin historik, Ibrahim Rugova, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe aleatët e NATO-s nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke shprehur mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata që kontribuuan në jetësimin e idealit shekullor të shqiptarëve të Kosovës.

“Sot dhe përgjithmonë, kujtojmë ata që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi… Falënderoj të gjithë ata që punuan me mua, në veçanti presidentin Rugova, sekretarin [e përgjithshëm të NATO-s, Javier] Solana, kryeministrin italian [Massimo] D’Alema, gjeneralin [Wesley] Clark, gjeneralin [Micheal] Jackson dhe sigurisht, lidershipin vital të presidentit [Bill] Clinton”, ka thënë ai.

“Ne i dhamë fund një makthi atëherë, por mund të ndërtojmë një ëndërr tani. Kjo është ajo që i detyrohemi kujt kujtojmë sot. Kjo është ajo që ata do të dëshironin. Kjo do të ishte dhurata më e madhe për ata që e bënë detyrën e tyre atëherë – që ne të ndjekim shembullin e tyre dhe të bëjmë detyrën tonë tani. Për popullin, për të ardhmen dhe për këtë komb të mrekullushëm”.

Blair, i cili për shqiptarët e Kosovës është më shumë se një ish-kryeministër britanik, ka shtuar ndër të tjera se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian (BE). Ai u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur ta bëjnë këtë: “Kjo është pse kemi shtrirë dorën tonë para 25-vjetësh”.

Ish-kryeministri britanik, përpara se t’i drejtohej deputetëve kosovarë, takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku bombardimin e Serbisë para 25-vjetësh e cilësoi të duhur: “Atëherë besova se [fushata e NATO-s] ishte gjëja e duhur për të bërë – jam i bindur se ishte gjëja e duhur edhe tash. Dhe besoj se ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah popullit të Kosovës”.

Ndryshe, ndërhyrja humanitare e NATO-s më 1999 konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, përkundër se përbente rastin e parë në histori që NATO-ja ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë përfunduan pas 78 ditëve, ndërsa lufta në Kosovë pas 14 muajve.


1 Comment

  1. Bleri ka ardh me mision te caktuar me sa duket..shkembim teritoresh.!!!Ky term nuk eshte i vertet .!? Serbia nuk jep as edhe ni meter toke ,kjo eshte mashtrim per miletin qe kundershtojn ,ta merr veriun,Trepcen,dhe ujmanin,fut ushtrin atje me pelaqim te vendorve dhe nderkomtarve …keshtu ka ndodh me dialog,,,nihere teknik ,pastaj politik,gjithmon hile brenda…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *