• |
ide | kryesore

Gjyqtarja Vjollca Spahiu përballet me pyetje mbi pasurinë

Arkiva, Lajme, Të fundit


Disa transaksione financiare që përfshinin gjyqtaren Vjollca Spahiu, bashkëshortin e saj dhe persona të tretë u vunë në dyshim nga trupa e KPK dhe vëzhguesi ndërkombëtar, i cili pyeti Spahiun për mbi 30 minuta. Gjyqtarja këmbënguli se pasuria e saj ishte e ligjshme dhe kërkoi konfirmim në detyrë.

Nga Vladimir Karaj

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Vjollca Spahiu u përball të martën me një seancë të gjatë pyetjesh nga vëzhguesi ndërkombëtar, Stiven Kesler dhe anëtarë të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryesisht mbi transaksionet për dy pasuri të paluajtshme dhe një makinë.

Spahiu siç rezultoi në seancë kishte kryer disa transaksione që KPK i gjeti nën vlerën e tregut, po ashtu burimet për pasuritë e blera u vunë në dyshim nga Komisioni për shkak se koha e marrjes së kredive nuk përputhej me kohën e pagesave sipas kontratave të nënshkruara.

KPK po ashtu vuri në dyshim një shumë prej 14 mijë dollarësh, që Spahiu e kishte deklaruar si të ardhura qiraje për një njësi në Kukës ku ishin strehuar gazetarë spanjollë gjatë luftës në Kosovë. Vëzhguesi ndërkombëtar e pyeti gjatë subjektin në lidhje me marrëdhëniet me një huadhënës, i cili i kishte dhënë çiftit Spahiu 3 milion lekë cash, pa interesa dhe pa afat kthimi.

Vetë Spahiu vlerësoi punën e KPK-së, duke e cilësuar hetimit të detajuar dhe të thelluar dhe ra dakord me gjetjet në kriterin e profesionalizmit dhe figurës. Ajo tha në seancë se pasuria e saj ishte vetëm sa 1/3 e të ardhurave në vite dhe sqaroi transaksionet e kryera me rrethanat në të cilat ishte ndodhur familja.

Procesi i vetingut ndaj Spahiut po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Firdes Shuli dhe Lulzim Hamitaj.

Vjollca Spahiu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Kukës. Prej vitit 2014, Spahiu e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.

Problemet e pasurisë

Gjatë relatimit anëtari i trupës Lulzim Hamitaj vuri në dukje se Spahiu rezultonte me bilance negative për blerjen e një apartamenti, kryesisht të shkaktuara për shkak se KPK nuk cilësonte si të ardhura të ligjshme një shumë prej 14 mijë dollarësh, të deklaruar me burim nga qiraja. Sipas deklarimit të Spahiut të ardhurat ishin pagesë qiraje nga një televizion spanjoll i vendosur në Kukës gjatë kohës së luftës.

Spahiu këmbënguli se këto ishin të ardhura të ligjshme dhe të deklaruara që në vitin 2004. Ajo i tha KPK-së se shumë kishte të bënmte edhe me situatën në të cilën ndodhej zona.

Por KPK vuri në dukej se bilancet negative vinin edhe për shkak të kontradiktave mes kontratave dhe deklarimeve të subjektit. Kështu rezultonte se si burim për blerjen e një apartamenti kishte shërbyer një kredi e marrë një vit pasi kontrata ishte nënshkruar. Hamitaj tha se kontrata theksonte se pagesat ishin kryer me nënshkrimin e saj dhe se kredia e marrë më vonë nuk mund të konsiderohej si burim për këtë banesë.

Ngjashëm Spahiu u gjet me probleme dhe kontradikta sa i përket një apartamenti në Kukës të blerë nga vëllai dhe për një njësi “bar-kafe”. KPK gjeti se kontratat e nënshkruara ishin të ndryshme nga pagesat dhe burimet e referuara. Kredia e marrë për apartamentin në Kukës ishte depozituar fillimisht në bankë si depozitë dhe më pas ishte tërhequr për të paguar babain e subjektit.

Ndërkohë nga ana tjetër KPK gjeti se çmimi i një njësie ishte rritur artificialisht për të përfituar një kredi më të madhe. Spahiu që shpjegoi transaksionet e kryera me babin dhe vëllain me situatën familjare që ata kishin, pranoi se bashkëshorti kishte rritur vlerën e pronës për të përfituar kredinë.

E pyetur nga Kesler ajo këmbënguli se megjithsë veprimi nuk ishte korrekt, ai nuk kishte sjellë pasoja dhe se askush nuk kishte humbur prej tij.

KPK vuri në dukje se veç këtyre situatave Spahiu rezultonte të kishte blerë një apartament nën çmimin e vlerës së tregut. Por gjyqtarja arsyetoi se kontrata ishte vullnet i lirë i palëve dhe se shitësi ishte i interesuar për paratë në momentin e transaksionit.

Ajo po ashtu shpjegoi me të njëjtën logjikë edhe blerjen e një makine, që sipas KPK-së ishte blerë nga shitësi me gati dyfishin e çmimit vetëm 17 ditë më herët. Spahiu këmbënguli se makina kishte pasur një defekt. Por e pyetur nga Kesler mohoi që shitësi t’i kishte mashtruar atë dhe bashkëshortin gjatë transaksionit.

Kesler nga ana e tij këmbënguli gjatë dhe vuri në dyshim të ardhurat nga një hua 3 milion lekë. Vëzhguesi në pyetje la të kuptohej se ishte e dyshimte që huaja e marrë pa interes dhe kërkoi detaje mbi marrëdhënien e gjyqtares dhe bashkëshortit të saj me këtë person. Ai po ashtu vuri në dyshim burimin e të ardhurave të vetë huadhënësit.

Spahiu këmbënguli në një marrëdhënie të pastër. Ajo po ashtu arsyetoi se pasuria e saj ishte me burime të ligjshme. Ajo i kërkoi KPK-së të rillogariste të ardhurat dhe shpenzimet në disa vite dhe arsyetoi disa probleme me konfuzionin në momentin e deklarimit.

Hamitaj vuri në dukje se ndaj Spahiut kishte ardhur një raport negativ për figurën. Por hetimi i pavarur i Komisionit i rrëzoi gjetjet e raportit. Hamitaj tha se në disa nga çështjet Spahiu nuk kishte qenë gjyqtare dhe në të tjera nuk ishin gjetur probleme në vendimmarrje që të vinin në dyshim gjyqtaren.

Njëlloj KPK rrëzoi disa denoncime ndaj gjyqtares dhe nuk gjeti probleme sa i përket profesionalizmit të saj.

Spahiu e vlerësoi këtë pjesë të hetimit dhe e falënderoi Komisionin për hetimin e drejtë dhe të thelluar. Ajo tha në fund të seancës se kishte shërbyer me integritet dhe profesionalizëm dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë. Seanca e radhës u caktua më 28 qershor në orën 9.45./BIRN


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *