• |
ide | kryesore

Shuhet Bejkush Birçe, njeriu që tronditi regjimin: ish-trajneri i kombëtares humbi luftën me sëmundjen

Sport
Birçe


Futbolli shqiptar humb një nga njerëzit që kanë bërë historinë. Bejkush Birçe, ndahet nga jeta në moshën 81 vjeçare, për shkak të problemeve shëndetësore. Birçe, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, dha kontribut si lojtar dhe trajner i Kombëtares, ndërkohë që ishte edhe zëvendëspresident i FSHF. Një njeri me ide të qartë e karizëm që u përplas madje edhe me regjimin, kur nuk u pajisën me vizë 6 anëtarë të listës së propozuar prej tij dhe kur Panajot Pano mbeti përfundimisht jashtë saj.

MESAZHI I NGUSHËLLIMIT I PRESIDENTIT DUKA

FSHF i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, së afërmve dhe miqve të Birçes për këtë humbje të madhe! Edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka me një postim në rrjetet sociale ka shprehur trishtimin e tij për këtë humbje dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të Bejkush Birçes.

“I pikëlluar pas lajmit të ndarjes nga jeta të Bejkush Birçes! Kemi humbur një nga njerëzit me më shumë kontribute në futbollin shqiptar, si lojtar, trajner e drejtues në FSHF. Kemi humbur një njeri me karakter të fortë, një mik dhe një familjar shumë të mirë. Në emrin tim dhe të komunitetit të futbollit shqiptar, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes, së afërmve dhe miqve, të cilët kanë humbur një njeri shumë të dashur për ta. U prehsh në paqe Bejkush Birçe!”, – shkruan Presidenti Duka në statusin e tij.

Homazhet për Bejkush Birçen do të zhvillohen ditën e hënë në ambientet e stadiumit “Air Albania”, duke nisur nga ora 11:00.

KUSH ISHTE BEJKUSH BIRÇE?

Birçe ka lindur në fshatin Bolenë të Vlorës në shkurt të vitit 1943. Çlirimi i vendit e gjeti pa të atin dhe, së bashku me nënën, dy vëllezërit dhe motrën, zbresin në qytetin e Vlorës. Kur ishte vetëm 6 vjeç, ai u transferua në jetimoren e Tiranës, ku përfundoi edhe shkollën 7- vjeçare. Më vonë, regjistrohet në Teknikumin e Sportit në Tiranë, duke ju përkushtuar fortë sportit.

Trajneri njohur i futbollit Xhevit Demneri , do bëjë këtë lab të sertë pjesë të skuadrës të të rinjve të Tiranës. Aktivizohet si sulmues, ku shpejtësia është cilësia e tij kryesore. Me të rinjtë bardheblu ai qendroi gjatë periudhës 1952-54, pastaj për një sezon kaloi te modhat e Flamurtarit, përpara se të luante me Partizanin për 8 sezone, deri në vitin 1962.

Pasi vari këpucët në gozhdë ai nisi punë si drejtues në Akademinë e të kuqve e më pas si trajner i ekipit të parë. Një histori interesante, e përsëritur dy herë. Bejkush Birçe, gjatë kohës që ishte pedagog në shkollën ushtarake “Skënderbej”, mori propozimin e veçantë që ai nuk e besoi fillimisht. – “Në vitin 1971 më thanë se isha emëruar trajner i Partizanit. Kujtova se bënin shaka me mua”.

Pa mbyllur mirë ende një sezon ai u largua nga detyra dhe vazhdoi mësimdhënien, deri në vitin 1975, kur mori propozimin për të drejtuar Flamurtarin e Vlorës. Ndërtoi një brez të talentuar dhe në fund të viteve 70′ u rikthye edhe njëherë në krye të Partizanit. Në karrierë ai drejtoi edhe Naftëtarin, Lokomotivën e Durrësit dhe Dinamon. Gjithashtu, ai mbahet mend si një nga trajnerët më të shquar të Kombëtares, teksa drejtoi kuqezinjtë në vitet ’90, në një periudhë të vështirë për vendin.

PËRPLASJA ME REGJIMIN

Birçe po drejtonte Partizanin me sukses, si në garat kombëtare, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Por si çdo eksperiencë tjetër, edhe ajo pati problemet e saj. Partizani përgatitej për Kupën Ballkanike e Bejkush Birçe dërgoi listën me lojtarët dhe me stafin, që do të pajiseshin me viza, për udhëtimin jashtë. Por lista e tij nuk u miratua. Në klub erdhi një listë tjetër ku i mungonin disa emra nga ata që kishte propozuar Bejkush Birçe, mes të cilëve emrat e ndihmësit të tij në stol, ish-sulmuesi legjendar Panajot Pano, apo dhe mjekut të paharruar, Ali Kastrati. Atëherë trajneri refuzoi të udhëtonte me ekipin për arsye se nuk ndodheshin emrat që ai kishte propozuar dhe askush nuk kishte të drejtën të propozonte emra të tjerë.


2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *