• |
ide | kryesore

Siguria e jetës së turistëve në pikun e sezonit turistik

Arkiva


Zhvillimi i shpejtë i sektorit të Turizmit në Shqipëri gjatë viteve të fundit ka nxjerrë në pah nevojën urgjente të rritjes së cilësisë së shërbimeve, nevojën për burime njërëzore të kualifikuara, higjienës ushqimore, rritjes së kapaciteteve akomoduese, problemeve me ndotjen etj.

Shqipëria është vendosur këto vitet e fundit në qendrën e vendeve të preferuara nga turistët e huaj, të cilët rikthehen për të shijuar mrekullitë që ajo ofron. Ndërkohë, ka edhe turistë që vijnë për herë të parë të cilët pyesin: A është Shqipëria një vend i sigurt për t’u vizituar? Kjo është një pyetje që nuk vjen nga keqdashësia por, nga mosnjohja e këtij shteti të vogël që doli nga diktatura komuniste. Titujt e gazetave të huaja të viteve të tranzicionit kanë shkruar vazhdimisht për varfërinë dhe kriminalitetin në rritje.

Media në Shqipëri e ndarë në interesa dhe fraksione politike ka evidentuar ngjarje të tilla që e klasifikonin një shtet jo shumë të sigurt.

Kur flasim për Siguri, kjo nuk lidhet me aksidentet sporadike që ndodhin në të gjitha vendet e botës të cilat, është vështirë t’i parashikosh.

Këtu flasim për sigurinë e jetës së turistëve vendas dhe të huaj, duke nisur nga siguria e ushqimeve të cilat konsumohen, nga problematikat rrugore, nga mungesat e sigurisë dhe rojeve në plazhe si edhe nga temperamenti i shqiptarëve të cilët pas periudhës së diktaturës, vazhdojnë të kenë ende probleme me njohjen e autoritetit shtetëror, komunikimin efektiv dhe të tolerancës ndaj të tjerëve. Këto janë probleme që vijnë si rezultat i punës jo të mjaftueshme që luajnë strukturat përgjegjëse por, nga ana tjeter edhe si pasojë e mungesës së një kulturë të sigurisë dhe respektit ndaj turistëve.

Mungesa e njohjes së autoritetit shtetëror duket tek zaptimi i tokave në plazhe, dhënie e mjetit mbi shpejtësinë e lejuar, parakalimet e gabuara duke i bërë rrugët të pasigurta, përdorimi i mjeteve motorike në det pa leje nga shteti, abuzimi me cmimet, komunikimi gjaknxehtë i cili në disa raste ka çuar në ngjarje tragjike. Siguria e jetës në këtë periudhë nuk është e rëndësishme vetëm për turistët e huaj. Kur trajtohet siguria e jetës gjatë pikut turistik flasim për sigurinë e të gjithë qytetarëve brënda kufirit shqiptar. Në këtë periudhë kur rritja e numrit të turistëve është e lartë dhe strukturat shtetërore e kanë te veshtirë të krijojnë klimën e duhur pa ndërmarrë masat paraprake para fillimit të sezonit.

Të jemi realistë ende ka shqetësime në disa fusha; raste të aksidenteve në rrugë për shkak të cilësisë së dobët të rrugëve, shtimit të makinave gjatë fluksit turistik si pasojë e ardhjes së emigrantëve, mungesës së respektimit të rregullave të sigurisë rrugore nga shoferët dhe paaftësise së institucioneve shtetërore përgjegjëse për parandalimin e tyre. Nga ana tjeter, higjiena ushqimore mund të jetë një problem në disa zona turistike, ndërsa përplasjet në plazhe dhe incidentet e tjera mund të përkeqësojnë ndjeshëm përvojën e turistëve.

Pavarësisht, faktorëve të lartpërmendur, turistët e huaj në Shqipëri janë të sigurtë në përgjithësi, por duhet të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë kulturën dhe traditat e vendit. Problemet e mundshme janë mungesa e njohjes së kulturës lokale, mungesa e kontrolleve të vazhdueshme nga organet lokale për të monitoruar sigurinë e tyre, si dhe mungesa e pergjegjësisë së biznesit për të trajtuar turistët me kujdes dhe respekt.

Siguria e turistëve të huaj apo vendas është edhe përgjegjësi e bizneseve ku këta të fundit janë akomoduar. Shpesh, kjo përgjegjësi i është transferuar organeve shtetërore lokale pa të drejtë për të hequr barrën nga vetja. Bizneset lokale dhe personat që i menaxhojnë duhet të jenë më shumë përgjegjës për jetën e klientëve të tyre dhe tú krijojnë klimën për një qëndrim të bukur dhe kryesorja të sigurt.

Kur flitet për sigurinë duhet të kemi parasysh edhe temperamentin mesdhetar të shqiptarëve, të cilët mund të jenë më emocionalë dhe impulsivë në kontaktin e tyre me turistët e huaj që vijnë nga shtete dhe kultura të ndryshme. Kjo nuk do të thotë që turistët duhet të shmangin Shqipërinë, por të jenë të vetëdijshëm dhe të respektojnë edhe ata kulturën dhe traditat e vendit për të minimizuar konfliktet e mundshme.

Për të rritur sigurinë dhe kualitetin e shërbimeve turistike në vend, është e domosdoshme të ketë një përpjekje të përbashkët nga autoritetet vendore, sektori privat dhe komuniteti lokal.

Nëpërmjet një strategjie të qartë dhe të zgjuar, vendi ynë do të mund të tërheqë një numër më të madh vizitorësh ndërkombëtarë, te rrise standartin dhe cilësinë e shërbimeve dhe të ndërtojë një imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare.

Shqipëria është një vend me një Trashëgimi Natyrore dhe Kulturore të mrekullueshme, me një reliev dhe hidrografi shumë të pasur, me një histori dhe kulturë unike, me një gastronomi që na e lakmojnë sidomos në zona të caktuara ku gatimet tradicionale janë të pasura dhe produktet ende janë bio, me njërëz që vazhdojnë të ruajnë ende mikëpritjen e të parëve, me një klimë të adhurueshme dhe cmime shumë konkurruese me vendet e tjera të rajonit.

Me përpjekjet e përbashkëta dhe përkushtimin e të gjithë aktorëve të interesuar, Turizmi në Shqipëri do të vazhdojë të zhvillohet në një mënyrë që të përfitojnë të gjithë, dhe të sigurojë një përvojë të paharrueshme për turistët që vizitojnë vendin.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *