• |
ide | kryesore

Serbia nuk i kthen përgjigje Kosovës për 4 të burgosurit shqiptarë

Arkiva, Lajme, Të fundit
Serbia nuk i kthen përgjigje Kosovës për 4 të burgosurit shqiptarë


Kosova i kërkoi zyrtarisht ekstradimin e katër të burgosurve shqiptarë të cilët po mbahen në burgjet serbe me pretendimet për krime lufte.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i nisi një letër homologes së saj serbe, Maja Popoviç, që Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa të gjykohen në Kosovë.

Mirëpo, vetë Haxhiu, e pyetur nga A2 CNN të mërkurën nuk ishte shumë optimiste në bashkëpunimin e shtetit serb.

“Duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka pasur refuzim për bashkëpunim juridik dhe duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon në Kosovë as kriminelët që kanë kryer krimet lufte në Kosovë në kohë të luftës, nuk i dorëzon as kriminelët apo terroristët që kanë kryer sulme terroriste, referuar sulmit terrorist në Banjskë, natyrisht që është goxha e vështirë të themi që mund të kemi përgjigje apo jo”, tha Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë.

Haxhiu konsideroi se burgosja e shqiptarëve atje me pretendimin për krime lufte është e qëllimshme, politike dhe e padrejtë.

Mirëpo, e pyetur nëse mundet që Qeveria t’ua heq shpenzimet e mbrojtjes shqiptarëve të akuzuar atje, ashtu siç bën Qeveria e Serbisë për serbët lokalë të akuzuar në Kosovë, ajo tha se aktualisht nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë.

“Sipas legjislacionit në fuqi, kjo tashmë nuk është e rregulluar, pra nuk ka një ligj që Qeverisë së Republikës së Kosovës i jep të drejtën që të mbështesë financiarisht mbrojtësit e personave të cilët mbahen në burgjet e Serbisë. Ne kemi pasur kërkesa nga familjarët e këtyre personave. Si Ministri e Drejtësisë po e trajtojmë, por nuk mund të them se cili do të jetë vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, apo në këtë rast Ministrisë së Drejtësisë, duke pasur parasysh mungesën e bazës ligjore”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se në lidhje me letrën është njoftuar edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut gjatë takimit të së martës mes kryenegociatorëve të dy vendeve.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *