• |
ide | kryesore

Kuvendi i Shqipërisë shkeli hapur Kushtetutën për Olta Xhaçkën

Arkiva, Lajme, Të fundit


Trupa Gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese konstaton se Kuvendi i Shqipërisë ka shkelur Kushtetutën duke mos zbatuar vendimin e kësaj gjykate për mandatin e Olta Xhaçkës dhe vendosi ta detyrojë atë që të dërgojë “pa vonesë” për interpretim mandatin e saj në këtë gjykatë.

Nga Blerina Gjoka, BIRN

Në një votim të paprecedentë mazhoranca socialiste votoi në prill kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i kërkonte që të dërgonte për interpretim në këtë gjykatë mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, bashkëshorti i së cilës u shpall investitor strategjik nga qeveria.

Të mërkurën Gjykata Kushtetuese e cilësoi këtë votim anti-kushtetues dhe vendosi që të “detyrojë” Kuvendin që të rivotojë “pa vonesë” për dërgimin e mandatit të Xhaçkës për interpretim pranë këtij organi.

E vënë në lëvizje nga një padi e grupit parlamentar demokrat, kjo gjykatë vendosi: “shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 ‘Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese’ të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë’.

Po ashtu, ajo vendosi “detyrimin” e Kuvendit për dërgimin e mocionit për interpretim në këtë gjykatë.

Kryetarja e kësaj gjykate, Olta Zaçaj, duke lexuar këtë vendim para mediave tha se “në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”.

“Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”- tha ajo duke lexuar vendimin.

Socialistët pretenduan se gjykata nuk mund të detyronte deputetët si të votonin sepse ata ishin të pavarur në vendimmarrjen e tyre, por sipas vendimit të Kushtetueses ata ishin të detyruar të zbatonin vendimin e kësaj gjykate.

Por, Kushtetuesja shprehet në mënyrë eksplicite për detyrimin që mbartin vendimet e saj.

“Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që u imponon të gjitha organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit”- argumentohet në vendim.

Edhe një herë gjykata u kujton deputetëve që “duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.

Në vendimmarrjen e djeshme të GJK u rrëzua dhe një kërkesë e fundit e Kuvendit që tentonte pezullimin e shqyrtimit të kësaj çështje dhe dërgimin e saj për një opinion këshillimor nga Komisioni i Venecias.

Ky është vendimi i dytë i Kushtetueses që ka kapur në shkelje të Kushtetutës vendimet e Kuvendit, të marra nga mazhoranca socialiste në lidhje me mandatin e Xhaçkës.

Edhe në janar 2023 gjykata cilësoi si anti-kushtetues votimin e nëntorit 2022 të mazhorancës socialiste nëpërmjet të cilit u rrëzua mocioni i opozitës për mandatin e deputetes së PS-së.

Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike.

Në këtë rast, mazhoranca ka përdorur afate dhe procedura parlamentare për të zvarritur në kohë shqyrtimin e saj në organet parlamentare dhe me vendim politik ka mbrojtur deputeten e saj duke rrëzuar 2 herë kërkesën e opozitës për ta dërguar këtë çështje për interpretim në Kushtetuese.


8 Comments

  1. Nepermjet Olta Xhacka synohet te arrihet te vendimi i dhenies se Portit te Limionit ku ka dore Edi Rama, Bajram Begaj dhe Tan Dulaku! Eshte USA qe e detyron GJK o budallenj qe beni lojra fshati, brenda dt 25 Edi Rama do pyetet nga SPAK por ne te vertete do jene agjente te FBI aty prane!

  2. There MUST NOT BE a happy ending for PM Edi Rama who acted as a supporter of Donald Trump, while giving Jared Kushner a lot of most beautiful island in Albania! Democrats of US, open your eyes and look the most corrupted PM of the Balkans, Edi Rama! Arrest him, this is justice for Albanian people who are suffering a lot from his government corruption, every high ranking member of Socialist Party is corrupted! Show them who you are, USA!

    1. E drejte, po k* dembel an ngadale sa ngrihet po aq shkrefet..Kjo bashke me keta bytheshkelymit do vazhdoje gjate dhimbjet..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *