• |
ide | kryesore

Zbulohet parcela me kanabis në Mirditë, pranga 27-vjeçarit

Arkiva, Lajme, Të fundit


Një 27-vjeçar është vënë në pranga dhe kanë nisur hetimet për kryeplakun e fshatit Batra në Mirditë, për kultivim kanabisi.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë intensifikuar kontrollet në terren dhe hetimet proaktive të bazuara edhe në inteligjencën policore.

Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi disajavor në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Lezhë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Seven”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

* E. Ç., 27 vjeç, banues në fshatin Batra, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit të tij në vendin e quajtur “Përroi Batrajve”, kishte kultivuar në 7 parcela të ndryshme në distancë nga njëra tjetra, 374 bimë kanabis sattiva.

Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në flagrancë në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike në orët e vona të mbrëmjes.

Gjithashtu pas një pune intensive hetimore, është arritur të identifikohet i dyshuar si bashkëautor në këtë aktivitet kriminal, shtetasi J. M., 33 vjeç, banues në fshatin Xhuxhë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim ku vijon puna për kapjen e tij.

Në vijim të hetimeve proceduriale nga policia, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. Ç., është sekuestruar një armë gjahu çifte pa leje si dhe është bërë bllokimi i po një arme tjetër gjahu me leje.

Në vijim të operacionit, u procedua penalisht për shpërdorim detyre shtetasi S. Gj., me detyrë kryeplak i fshatit Batra. Ky shtetas dyshohen se nuk ka kryer detyrën e tij funksionale, në zonën që mbulon.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *