• |
ide | kryesore

Fundi i një epoke, Xherdan Shaqiri i jep lamtumirën Zvicrës: e mbylli Euro 2024 me golin e rekordit

Sport, Video
Shaqiri


Pas 125 ndeshjeve dhe 32 golave, Xherdan Shaqiri ka vendosur t’i japë fund karrierës me kombëtaren. Lajmin 32-vjeçari e ka bërë të ditur në rrjetet e tij sociale. Fantazisti me origjinë shqiptare, i rritur në Basel, ishte një pjesë integrale dhe lojtari kryesor i kombëtares zvicerane në shtatë turne të mëdha gjatë një periudhe prej katërmbëdhjetë vjetësh. Megjithatë, që nga viti 2022, që kur kaloi në radhët e Chicago Fire në MLS, roli i tij ishte zbehur dhe së fundmi ai luajti vetëm në dy ndeshje të fazës finale të Kampionatit Evropian në Gjermani. “Shtatë turne, shumë gola, 14 vite me kombëtaren zvicerane të seniorëve dhe momente të paharrueshme. Ka ardhur koha për t’i dhënë lamtumirën Kombëtares. Kujtimet e mëdha do të mbeten dhe për këtë ju them të gjithëve: FALEMINDERIT”, ka thënë Shaqiri në postimin e tij.

REKORDI

E megjithatë, edhe ato pak prezenca në Euro 2024, Shaqiri arriti të vendoste një rekord që do të jetë e vështirë të thyhet. Ai shënoi një gol spektakolar në ndeshjen kundër Skocisë, duke barazuar ndeshjen në 1-1, e është një gol që e bëri të arrinte diçka që nuk kishte mundur ta bënte as Cristiano Ronaldo. Shaqiri është i vetmi lojtar që ka shënuar në tre Kampionatet e fundit Evropiane dhe në 3 Kupat e Botës.

Në Brazil 2014, Shaqiri shënoi një trigolësh kundër Hondurasit për të filluar serinë e jashtëzakonshme të turneve të shënuara. Ai e pasoi atë me një nga golat e turneut në Euro 2016, kundër Polonisë. Në turneun e tretë radhazi, Shaqiri shënoi në Kupën e Botës 2018 në fitoren e paharrueshme 2-1 ndaj Serbisë. Anësori zviceran shtoi tre gola në Euro 2020, dy kundër Turqisë dhe një tjetër kundër Spanjës, për ta mbyll në Gjermani me golin brilant kundër Skocisë në Këln, që do të mbahet mend edhe si i fundit me kombëtaren e një lojtari që bëri histori.


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *