• |
ide | kryesore

PS-PD zihen për kryeplakun e fshatit Toç: Unë kam vulën, rrogën e merr ai tjetri

Arkiva, Lajme, Të fundit


Fiks Fare denoncoi një “betejë” midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për kryetarin e fshatit Toç në Memaliaj.

Zgjedhjet vendore të vitit 2023 sollën rokadë në këtë bashki, ku aktualisht ka fituar kandidati i PD-së. Ndërkohë, disa muaj pas konstituimit Këshillit Bashkiak të kësaj bashkie, u hapën zgjedhjet për kryetarë fshati. Një “betejë” e fortë ishte në Njësinë Qesarat, ku megjithëse u bën zgjedhjet dhe “fitoi” kandidati i PS-së, kryetari i Bashkisë Memaliaj emëroi pa zgjedhje një person tjetër.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z. Fatmir Halili, i cili në zgjedhjet e datës 3 tetor 2023 u shpall fitues, por rrogën e merr personi që është emëruar nga kryetari. “I jam drejtuar Fiks Fare se më 3 tetor 2023 u bënë zgjedhjet për kryeplak të fshatit Toç. Votuan njerëzit dhe unë u shpalla fitues. U bë procesverbali, zgjedhjet në atë datë i vendosi Këshilli Bashkiak Memaliaj. Erdhën komisionerët dhe gjithçka në rregull. E kam edhe listën e zgjedhësve, të votave. Këto zgjedhje u certifikuan nga Këshilli edhe nga Prefektura. Kur unë duhet të merrja detyrën, Bashkia Memaliaj emëron dikë tjetër në vendin tim. Pa asnjë zgjedhje dhe pa asnjë votim. Për atë nuk ka votuar njeri” thotë Fatmiri.

Më tej pohon se pala tjetër ka bërë një kërkesë me disa firma, ku disa prej firmëtarëve pohojnë se s’kanë firmosur atje. “Ata kërkojnë anulimin e zgjedhjeve të para që unë dola fitues. Unë jam i PS-së, bashkinë e ka fituar PD-ja. Tani Këshilli (që ka shumicën PS-ja) më ka certifikuar mua, por Njësia Administrative s’i ka pranuar këto zgjedhje. Tani rrogën që shpërndan bashkia s’ma jep mua, por ia ka kaluar personit tjetër. Vulën e kam unë, se jam me letra fitues, po rrogën e merr ai” përfundon Fatmiri.

Pas zgjedhjeve, në datën 23 tetor 2023, disa banorë të fshatit Toç i kanë bërë kërkesë Bashkisë Memaliaj për të anuluar zgjedhjet e para, pasi në ato zgjedhje s’ka pasur asnjë përfaqësues të PD-së. Është edhe një listë me emra, ku njëri prej tyre z. Namik Hoxha thotë se “s’kam firmosur”. Fiksi bisedoi me këtë person, i cili thotë se s’ka firmosur. “Unë s’kam firmosur te kjo listë. Aty është numri im dhe firma, por unë s’kam firmosur. U bënë zgjedhjet më datë 3 tetor, u zgjidh kryesia e fshatit dhe kryesia e fshatit zgjodhi kryetar fshati z. Fatmir Halili. Ne atë prisnim që të bëhej kryeplak, jo atë tjetrin që ka vendosur Bashkia Memaliaj. Unë kam votuar për Fatmirin. Nuk e di si e zgjodhën atë tjetrin” pohon ai.

Fiksi telefonoi kryetarin e Njësisë Administrative Qesarat, Butjan Kapa, për “betejën” PS-PD për kryeplakun e fshatit Toç. Ai thotë se nuk janë bërë zgjedhjet në fillim të muajit tetor. “Janë mbledhur disa banorë të fshatit në atë datë, 3 tetor, por s’ka qenë këshilltari i PD-së. Komisioni ishte me disa këshilltarë, të PS-së dhe të PD-së. Ky i PD-së nuk mori pjesë dhe nuk e di se çfarë është bërë më pas” pohon Administratori. Fiksi e pyet se kush e merr rrogën dhe ai përgjigjet se “ai që ka vendosur sipas ligjit kryetari i Bashkisë Memaliaj”, pasi zgjedhjet e tetorit 2023 janë konsideruar të parregullta. Fiksi e pyet se shpallja z. Fatmir Halili është certifikuar nga Këshilli dhe na thotë se “ata (PS-ja) ka shumicën atje dhe kanë votuar, por këshilltari i PD-së s’ka qenë dhe vendosi kryetari i bashkisë”.//TCH


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *