• |
ide | kryesore

Specialja jep dënimin e dytë: 18 vite burg për ish-komandantin e UÇK

Arkiva, Lajme, Të fundit


Gjykata e Posaçme e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, e dënoi të martën me 18 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala nën akuzat për krime lufte.

Gjykata e shpalli fajtor zotin Shala për veprat burgosje e paligjshme, torturë dhe vrasje në bazë të akuzës së ngritur me 12 qershor të vitit 2020, sipas së cilës “krimet u kryen përafërsisht midis 17 majit të vitit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Gjykata tha se zoti Shala ishte përfshirë në burgosjen dhe torturimin e 18 vetave dhe në një vrasje.

Pjetër Shala i njohur gjatë luftës në Kosovë me nofkën “komandant Ujku”, i ka mohuar akuzat.

Procesi kundër zotit Shala filloi në shkurt të vitit 2023 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës më seli në Hagë. Ai u arrestua më 16 mars të vitit 2021 në Belgjikë, nën akuzat për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Vendimi u mirëprit nga kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara, Kimberly West, e cila përmes një deklarate tha se “dita e sotme është gjithashtu një ditë kur ne kujtojmë dhe përulemi para viktimave të krimeve të zotit Shala, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe atyre familjeve që kanë pritur për një çerek shekulli që i akuzuari të vihet para përgjegjësisë”.

Ky është dënimi i dytë i shpallur nga Gjykata e Posaçme ndaj ish pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte. Më vonë gjykata vendosi të ulë dënimin në 22 vjet.

Aktualisht në Hagë procesi gjyqësor po vazhdon ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020, ndërsa gjykimi filloi në muajin prill të vitit 2023.

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./VOA


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *