• |
ide | kryesore

Gjashtë spanjollë e vetëm një anglez: UEFA ndez polemika me formacionin më të mirë të Euro 2024

Sport
Euro 2024


Gjashtë spanjollë janë përzgjedhur nga UEFA në formacionin më të mirë të Euro 2024. E kuptueshme në fakt që fituesit e turneut të dominojnë në formacionin ideal, por jo edhe aq që nga finalistët humbës të ketë vetëm një përfaqësues, ndërsa pjesën tjetër e kompletojnë një gjerman, një zviceran e dy francezë.

E pikërisht një prej tyre është Maignan, entuziast mes shtyllave dhe pikë e fortë e Gjelave, deri në ditën kur dolën nga turneu, përballë Spanjës. Edhe Saliba gjeti vend në prapavijën me katër lojtarë, në të cilën spikat Walker në të djathtë, si anglezi i vetëm i përfshirë në më të mirët e turneut. Akanji i Zvicrës dhe Cucurella, njeriu që ndaloi me dorë ëndërrën gjermane për kualifikim, kanë plotësuar mbrojtjen.

Mesfusha pastaj është e gjitha spanjolle. Dani Olmo, që zëvendësoi Pedrin të dëmtuar me Gjermaninë dhe nga aty nuk ndaloi më, duke shënuar edhe tre gola, u fut me forcë në këtë seleksion bashkë me Rodrin dhe Fabian Ruiz. Për mesfushorin e City, lojtari i turneut, nuk kishte dyshime se do të fitonte vendin në regji, ashtu sikurse dhe Ruiz autor i dy golave në rrugëtimin e 7 fitoreve të iberikëve.

Lexo më tejVideo/ Europiani jep verdiktet: Rodri MVP, Williams njeriu i ndeshjes e 6 krye-golashënues

Williams e Yamal nuk mund të mungonin në krahët e sulmit, me djaloshët e artë të De La Fuente që habitën kontinentin me rekordet e arritura dhe performancat e bëra. Në repartin ofensiv gjen vend edhe Musiala, që me tre gola, ishte shënuesi më i mirë i Euro 2024, bashkë me 5 lojtarë të tjerë, që ndanë krenarinë e Këpucës së Artë për turneun gjerman.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *